Tragjedi në Pukë/ Prindërit digjen në banesë, fëmijët shpëtojnë gjyshen

Një ngjarje tragjike është shënuar në fshatin Breg të Pukës në orët e para të mëngjesit, ku për pasojë të një zjarri në banesë një çift bashkëshortësh humbën jetën, ndërsa katër fëmijët e çiftit dhe gjyshërit e tyre fatmirësisht shpëtuan por të plagosur. Dyshimet janë se shkak për zjarrin u bë një shkëndije elektrike.

Burrë e grua humbën jetën në fshatin Breg të Pukës, pasi banesa e familjes u përfshi nga zjarri në orët e para të mëngjesit.

Viktima të flakëve mbetën çifti i bashkëshortëve, Petrit e Dava Ndoj, 46 dhe 35 vjeç.

Fatmirësisht katër fëmijët e familjes, më i madhi 15 vjeç arritën të shpëtojnë me plagë të lehta duke u hedhur nga dritaret e katit të dytë ku po flinin.

Ata arritën të shpëtojnë edhe gjyshen e paralizuar.

Sipas policisë ka qenë gjyshi 82 vjeçar ai që ka dhënë alarmin për zjarrin dhe ka zgjuar fëmijë. Por prindërit e tyre nuk arritën të dalin nga banesa.

Forcave zjarrfikëse të Pukës iu desh gati dy orë punë për të shuar përfundimisht flakët dhe për të nxjerrë trupat e pajetë.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa nga të dhënat e para shkak për ngjarjen e rëndë është bërë një shkëndijë elektrike.

Fëmijët dhe dy të moshuarit kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Pukës, ku thonë se janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa mësohet se do të strehohen tek të afërm.

Pas tragjedisë Bashkia e Pukës mori përsipër të mbulojë shpenzimet e ceremonisë mortore të çiftit, ndërsa është angazhuar të ndihmojë të mbijetuarit e familjes.


EMISIONET