Publikohet dekreti, Thaçi mandaton Kurtin për kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Dekretin ai e dërgoi në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi i presidenti Thaçi u mor pasi Vetëvendosje i dërgoi atij përmes një letre, propozimin që Albin Kurti të mandatohet për kryeministër.

"Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës" shkruan Thaçi në Facebook.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, më herët gjatë ditës, përmes një video-mesazhi tha se ende nuk ka një marrëveshje për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë asnjëra palë nuk ka pranuar ofertat e fundit për bashkëqeverisje.

Megjithatë, Kurti tha se Vetëvendosje dëshiron që të takohet me LDK-në deri në arritjen e një marrëveshjeje.

EMISIONET