Më 3 dhjetor 2018, një ish-diplomat në pension, i veshur me një pallto blu të errët dhe xhinse eci në platformën e stacionit të metrosë Pushkinskaya në Tashkent.

Ishte një mëngjes i ftohtë në kryeqytetin e Uzbekistanit.

Ndërsa treni u afrua, ai u hodh në shina. Treni e goditi dhe ai ra nën shina. Dëshmitarët e skenës horror në vendngjarje e tërhoqën zvarrë në platformë.

Në një gjendje që familja e tij më vonë e përshkroi si një episod psikotik, Kadyr Jusupov  pretendoi se që nga viti 2015 ai kishte spiunuar për Perëndimin në këmbim të 1.000 dollarëve në muaj.

Një vit pas përpjekjes së tij për vetëvrasje, më 9 janar, Kadyr Yusupov, 68 vjeç, një diplomat karriere në pension, u dënua me pesë vjet e gjysmë burg për tradhti.

Prokurori kishte kërkuar tetë vjet.

Sëmundja mendore e pa diagnostikuar

Kadyr Yusupov i kishte shërbyer vendit të tij që nga kohërat Sovjetike, së pari në ambasadën në Sudan dhe më pas në Austri, në Mbretërinë e Bashkuar , dhe si kreu i misionit në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në vitin 2009, ai u tërhoq nga shërbimi diplomatik dhe filloi të punojë si këshilltar për OJQ të ndryshme që promovojnë standardet e biznesit në Uzbekistan.

Që nga largimi i tij nga Ministria e Punëve të Jashtme, Jusupov nuk ka pasur qasje në sekretet shtetërore.

Por Yusupov ka pasur një histori të sëmundjes mendore.

Ndërsa ai kurrë nuk është diagnostikuar siç duhet, me kalimin e viteve, ai ka kaluar periodikisht episode psikotike.

Në vitin 2011, ai u përpoq të bënte vetëvrasje.

"Nëntëdhjetë e pesë përqind të kohës ai është në rregull, por nëse mbizotëron një koktej faktorësh - që nga problemet e zemrës deri te pagjumësia kronike dhe stresi, ai bie në gjendje të hipomanisë, mashtrimeve dhe halucinacioneve. Këto episode psikotike mund të zgjasin disa javë, "i tha Babur Yusupov, djali i Kadirit, për Al Jazeera.

"Një prej simptomave të kësaj sjelljeje të paqëndrueshme është deliri i madhështisë, ku ai shpesh e ekzagjeronte rolin e tij në shoqëri. Po ashtu konfuzioni i kujtesës: ngjarjet që kanë  ndodhur 10 vjet më parë do të rishfaqeshin në kokën e tij sikur kanë ndodhur sot."

Sipas familjes së tij, në moshën 60 vjeç, Jusupov filloi të meditojë, të praktikojë yoga dhe të marrë mjekime të rregullta.

Ai u nda nga gruaja e tij në vitin 2017 dhe gjendja e tij mendore po përkeqësohej.

Askush nga familja dhe miqtë e tij nuk e panë episodin në 3 Dhjetor.

Atë ditë, ai u dërgoi një mesazh fëmijëve të tij duke u thënë se i donte ata, por se ishte i lodhur dhe duhej t'u jepte lamtumirën.

Prova të pakta

Deri në fund të gjykimit, e vetmja provë e krimit të Jusupov ishte historia e tij.

Gjatë javëve të tij të para në burg, Jusupovit iu mohua trajtimi me ilaçe. Deri në prill, avokatit të tij të familjes i ishte refuzuar takimi me të, pasi Jusupov dyshohet se refuzoi përfaqësimin ligjor të avokatit. Kur iu dha e drejta për takim me klientin e tij, Jusupov mohoi që ai kishte qenë ndonjëherë spiun.

Ndërsa ishte në paraburgim, Jusupov dyshohet se ishte subjekt i torturave psikologjike.

"Ata e kërcënuan se do ta fusin në burg deri në fund të ditëve të tij. Torturat u kryen nga dhjetori deri në fillim të prillit" thotë Temur Yusupov, një tjetër nga djemtë e Kadyr-it.

"Ata thanë se do ti përdhunonin vajzën dhe gruan dhe do të na futnin të gjithëve në burg."

Shërbimet e sigurisë kërcënuan gjithashtu djemtë e Jusupov që ti jepnin fund deklaratave në media.

Gjykata dëgjoi që Kadyr Jusupov ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Prokurori gjithashtu mohoi pretendimet për tortura.

Në nëntor, Komiteti i Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës përmendi rastin katër herë në raportin e tyre të fundit për Uzbekistanin.

Deri në kohën e botimit, kërkesa e Al Jazeera për një koment nga  Ombudsmani  i  Uzbekistanit nuk mori përgjigje.

'Gjykatat nuk janë të pavarura'

Që kur Presidenti  Shavkat Mirziyoyev  erdhi në pushtet në vitin 2016, Uzbekistani ka qenë në një rrugë reformimi. Pas vitesh izolimi dhe shtypjeje, vendi ka filluar të hapet politikisht dhe ekonomikisht.

Shumë "të burgosur politikë" u lanë të lirë pas zgjedhjes së presidentit dhe reforma e sistemit të drejtësisë ishte gati të fillonte.

Por sipas një avokati vendor, i cili kërkoi anonimatin, ndryshimi nuk ka ardhur kurrë.

"Gjykatat nuk janë të pavarura. Ata dëgjojnë mbrojtjen por jo faktet. Rastet e lirimit janë të pakta dhe vendimi i gjykatave rrallë është i ndryshëm nga ndjekja penale," tha avokati.

"Kjo për shkak se shërbimet e sigurisë duhet t'u tregojnë autoriteteve që ata janë të nevojshëm. Nesër dikush mund të pyesë se cili është qëllimi i tyre, mbase stafi i tyre do të zvogëlohet, shkurtimi i financimit. Ata duhet të tregojnë se janë efektivë".

Aktivistët kërkojnë më shumë ndryshime

Gjyqi dhe aktgjykimi në çështjen e Jusupov kanë alarmuar komunitetin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

"Dënimi me burg i Jusupov për një kohë të gjatë pas një gjykimi të mbyllur, me të meta dhe mungesë aksesi në mbrojtje lë një boshllëk në narrativën e reformës së Uzbekistanit dhe janë një shenjë se metodat e vjetra të shërbimeve të sigurisë janë akoma të gjalla ", tha Steve Swerdlow, një avokat për të drejtat e njeriut dhe ekspert i Azisë Qendrore.

"Ne besojmë se babai ynë është i pafajshëm," tha Temur Yusupov.

"Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësinë e tij, do të bëjmë apel dhe do të vazhdojmë të rrisim vetëdijen mediatike për rastin për të treguar që qeveria nuk ka përmbushur detyrimet e saj, veçanërisht ato të Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës."



/Ora News.tv/