Kryeministri Edi Rama duke folur në emisionin “Pressing” në Televizionin 7 u shpreh se godina e Teatrit Kombëtar prej 2 vitesh e gjysmë nuk kontrollohej nga shteti.

I pyetur përse gjithë ky nxitim për të shembur teatrin në kohën e koronavirusit, Rama u shpreh se duhej bërë në një kohë që të mos kishte përplasje me artistët që ishin ngujuar në godinë.

Rama: Nëse do kishte ndodhur në mes të ditës, do thuhej pse në mes të ditës. Duhej evituar kjo përplasje. Por dua të nënvizoj se godina e vjetër e Teatrit Kombëtar prej 2 vitesh e ca ishte e zaptuar, e marrë peng nga një grup njerëzish, nuk kontrollohej nga shteti. Ata pretendonin se përfaqësonin të gjithë popullin teatror. Shteti e kishte të pamundur të kishte administrimin normal. Nuk kemi dashur të krijonim një konflikt kur ende procesi ishte në fazë embrionale. Ndërhyrja ndodhi pa asnjë lëndim real.

Pyetje: Pse nuk pati një kompromis, por vendosët të shembnit godinën e Teatrit?

Rama: Ky është debati më i gjatë në historinë e këtij vendi. Ajo ngrehinë nuk plotëson asnjë kusht që mund të zhvillohet aktiviteti në mënyrë të sigurt. Mundësia për ta restauruar është pothuajse zero./Express

/Ora News.tv/