Pse Meta e çoi Lleshin për lesh?

Pse Meta e çoi Lleshin për lesh?

Duke mos dekretuar gjeneral Sandër Lleshin në postin e Ministrit të Brendëshëm, Ilir Meta i ka dhënë fund një tradite gati 30 vjeçare, ku kreu i shtetit e trajtonte si detyrim mospengimin e ministrave që kërkoheshin nga një kryeministër i zgjedhur me votën popullore.

Parardhës së tij, nga Mediani, që kishte më shumë kompetenca kushtetuese e deri tek Nishani, janë joshur shumë ta bëjnë këtë gjest, sa spektakolar po aq dhe prej protagonisti, por në fund e kanë lexuar ligjin themeltar të shtetit në një mënyrë të ndryshme nga kjo e sotmja.

Pra, në këtë kuptim, Ilir Meta ka kryer një gjest hisorik, i cili do të mbahet mend gjatë në manovrat e politikës së përditshme, që do të shënohet nga historianët e marrëdhënieve mes institucioneve dhe do të debatohet nga konstitucionalistët.

Pikërisht se është një precedent i rrallë, megjithëse jo vetëm për këtë, Ilir Meta e ka për obligim të mos e kalojë këtë akt, me një njoftim steril, ku mungonin arsyetimi dhe argumentat. As njerëzit e zanatit dhe as publiku i gjerë, nuk mund të binden nga fraza standarte se Ilir Meta “nuk ka krijuar bindjen për t’i dhënë besim” Sandër Lleshit.

Një ditë më parë, kur presidenti i vendit, në një intervistë për “Fakt” solli paralelizmin me homologun e tij Italian, Matarrella, ai u mbështet tek ky shembull për të thënë se edhe një kryetar tjetër shteti me kompetenca të ngjashme, i kishte refuzuar dekretimin e një ministri të shumicës.

Por, pavarësisht nga interpretimi juridik që mund t’i bëhet kompetencave kushtetuese të njërit dhe tjetrit, krahasimi me Italinë nuk është i plotë. Sepse Mattarella refuzoi ministrin e ekonomisë, të koalicionit populist mes 5 Stelle dhe Lega, duke dhënë edhe arsyet. Ai vuri në dukje rrezikun që ky emërim përmbante për marrëdhëniet e Romës me Brukselin, për tronditjen e tregjeve financiare dhe për ardhmërinë e euros.

Pra, akti i Metës me atë të Mattarellës në përmbajtje ndryshojnë shumë.

Në rastin Italian kemi argumentim, respekt dhe transparencë ndaj publikut dhe mbi të gjitha garancinë se nuk është çështje bindjesh, por faktesh.

Në rastin e Metës të gjitha këto mungojnë.

Dhe ato nuk mund të arsyetohen me justifikimet se Lleshi shkoi për lesh pasi vajti me një ditë vonesë në takim, as me thashethemnajën se ai ka bashkëpunuar me sigurimin dhe as me alibinë se ka qenë ish ushtarak, prandaj nuk mundet të drejtojë një ministri të depolitizuar.

Ilir Meta nuk ka pse fshihet këtë radhë, kur ai vetë ka krijuar praktikën tejet të mirëpritur të argumentimit në filigran të rrëzimit të ligjeve qeveritare, si në rastin e atij për shembjen e teatrit.

Vërtet që kësaj here, duke marrë anë në një çështje tejet delikate të interpretimit të kushtetutës, ai mund të ketë bërë më shumë rolin e opozitarit, sesa atë të njeriut që qëndron mbi palët.

Vërtet ai mund t’u jetë bashkëngjitur këtë radhë të gjithë atyre që mendojnë se çdo gjest obstruksioni kundër rregjimit kriminal dhe kleptokratik të Ramës është në në mirë të publikut.

Të gjitha këto mund ta kenë shtyrë të interpretojë ndryshe nga papaardhësit nenet për dekretimin e ministrave.

Por, pavarësisht nga këto, ai është i detyruar të mos e injorojë publikun duke i servirur si të vërtetë të pakundërshtueshme, bindjen e tij të brendshme. Meta duhet ta shpjegojë aktin e tij. Ai ka obligim të sqarojë si logjikën konstitucionale ku është mbështetur, po ashtu edhe cenet personale të kandidatit për ministër.

Vetëm kështu, ai mund ta përligjë aktin e tij, që nuk ka dyshim që po bëhet për të minuar Ramën.

Por që mund të kthehet lehtësisht në boomerang, nëse mbështillet nga të njëjtat praktika okulte që zbaton edhe kryeministri për vendimet e veta.

EMISIONET