Pse Dashamir Shehi e nervozon Edi Ramën

Pse Dashamir Shehi e nervozon Edi Ramën

Ditën e enjte me një performancë që donte të imitonte atë të viteve të para, Edi Rama pa përmendur emër u përpoq të bënte qesharak një nga emrat e përveçëm dhe domethënës të parlamentit gri dhe pa individualitete të Shqipërisë: Dashamir Shehin.

Çfarë i kishte thenë Dash Shehi, Ramës që e nervozoi aq shumë? Pse e kishte ngacmuar Shehi Ramën, ndërkohë që ai nuk kishte folur fare në parlament. Pse duhej Edi Rama të performonte me gjeste e batuta, të bëra njëzet vjet përpara, kur ishte më i ri dhe rrekej t’i hynte në zemër Ilir Metës?

Pavarësisht sa u mundua Rama të bënte qesharak një nga deputetët më të vjetër të parlamentit shqiptar, Dashamir Shehi i kujton Ramës se e ka të kotë dhe nuk është dot, ai që shtihet.

Shehi vjen nga një familje e vjetër tiranase dhe jo të ardhur të vonshëm. Babai i tij ka studiuar në Torino dhe ka vuajtur katër vjet burg në ishujt e Italisë. Vetë Shehi ka studiuar inxhinjeri, një fakultet goxha më solid, sesa ai i Arteve që ka studiuar Rama dhe është shumë më tepër djalë Tirone, sesa të dyzuarit mes bordurave të bulevardit dhe kthesës së Bllokut, ku ëndërronin të hynin një ditë.

Edhe karriera e tij politike është dinjitoze. Dashamir Shehi është një i djathtë i natyrshëm me prejardhje nga familjet e vjetra dhe nuk është i djathtë për shkak të koloboracionizmit të fisit. Asnjëherë nuk e ndërroi rreshtimin e tij. Ka qenë një nga ministrat më dinjitozë të qeverisë Meksi, i papërfolur në afera korruptive, dhe nga të paktët në mos i vetmi që dënoi fenomenin e piramidave, kur edhe socialistët nuk ndiheshin, ngaqë merrnin përqindjet.

Kur demokratët nuk kalonin dot Shkumbinin, Shehi pranoi të ishte deputet i PD në Vlorë dhe vlonjatët ia vlerësuan burrërrinë. Ishte koha kur Rama nuk kalonte unazën e parë të Parisit se i fanepsej fantazma e Izet Haxhisë.

Pas vitit ’97, Dashamir Shehi u nda nga PD, por nuk ndryshoi krah. Formoi një parti e cila ka mëse 20 vjet në opozitë, por nuk pranoi ofertat e së majtës që donte ta shkërmoqte me çdo kusht PD-në. Ishte koha kur Rama flirtonte herë me Ilir Metën, herë me Pandeli Majkon dhe herë me Fatos Nanon.

Po çfarë tha Shehi që nervozoi aq shumë Ramën. Asgjë apokrife sesa i thotë një ekonomist dhe shtetar me mend dhe ia tha ne Komisionin e Ekonomise dhe jo para kamerave: I tha të mos fokusohej vetëm në investimet lindore, pasi nëse duam të hyjmë në BE, duhet ta bëjmë këtë të fundit të interesuar edhe si treg për kapitalet e saj; se nuk mund të ishin ndërmarrjet strategjike në duar të kinezëve dhe turqve; se Turqia vetë po rrëshqet në abise të errëta të koalicioneve lindore me Rusinë, Iranin dhe rrymat që luftojnë SHBA në atë rajon; se nuk mund ta bënte vendin, shesh lufte të rivaleteteve të brendshme të Erdoganit me konkurentët e tij dhe se ky vend është tepër i vogël për lojëra të mëdha; se po humbasim prirjen tonë perëndimore. Kaq. 

Asgjë më shumë sesa një radiografi të situatës vendore, por e cila i tregonte Edi Ramës se nga një kryeministër që u prit me shpresë të madhe nga gjithë shqiptarët, kishte degraduar në një satrap të stilit lindor. Kjo mesa duket i ka djegur Ramës. 

Sepse më shumë sesa fjalët, e shkuara dhe e tashmja e Dash Shehit, i kujton kryeministrit të vendit atë që i mungon me shumicë dhe që nuk mund t’ia japi asnjë ofiq: karakterin./dritare.net



EMISIONET