Në 12 orë 33 objekte të shembura, aksioni në "Astir" mbyllet me përplasje, arrestime dhe të plagosur

Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit i kanë mjaftuar 11 orë e gjysmë për të shembur 33 objektet e parashikuara në Unazën e Re.

"Vetëm pak momente më parë, mjetet e IKMT kanë prishur edhe objektin e 33 në zonën e “Astirit”. Nga operacioni që filloi mëngjesin e sotëm, u prishën 15 objekte një katëshe, 11 objekte 2 katëshe, 6 objekte 3 katëshe dhe 1 objekt katër katësh"njoftoi IKMT në mbyllje të aksionit në Astir.

Zona e "Astirit" u gjend në rrethimin e policisë që prej orës 6 e 30 të mëngjesit. Edhe pse banorët rezistuan përgjatë gjithë natës nuk mundën të ndalonin ndërhyrjen. Përplasja nisi me hedhjen e shisheve me benzinë.

Me ndërhyrjen e forcave speciale janë shoqëruar të paktën 15 persona, mes tyre dhe pedagogu Ervin Goci.

Për shkak të përplasjes, 13 persona janë paraqitur në spitalin e Traumës, 5 prej të cilëve ishin të forcave të rendit.

Me mbështetjen e forcave të policisë, në Unazën e Madhe mbërritën mjete të rënda të IKMT.

Kërkesave për tu futur në zonë, forcat e rendit i janë përgjigjur me refuzim. Madje në rrethim është vendosur jo vetëm hyrja e Unazës së Madhe por dhe akset dytësore. Nga spitali banorët kanë akuzuar për dhunë.

Avokatët e banorëve të Astirit kanë denoncuar ndërhyrjen e policisë, teksa kanë shtuar se do të vazhdojnë betejën ligjore.

Brenda 6 orëve u shembën 8 banesa dhe 24 të tjera ishin në proces. Ndërkohë deri në orën 15:00 u shembën 24 banesa nga 33 gjithsej.

Shembja e plotë e banesave përfundoi në orën 18:00.

Ora News ndoqi hap pas hapi zhvillimet e fundit në zonën e Astirit

Ora 13:00 Basha viziton të lënduarit: Skenar i Ramës që të çojë qytetarët drejt përplasjes

Kreu i PD, Lulzim Basha ka vizituar të lënduarit nga përplasja në zonën e "Astriti". Për gazetarët ai tha se ky është një skenar i përgatitur nga Rama për të çuar drejt përgjakjes dhe përplasjes qytetarët.

Basha: Gjendja e të plagosurve vazhdon të mbetet e rëndë. Janë dhunuar në mënyrë barbare, kam parë disa të moshuar të gjakosur nga dhuna me shkopin,gra të alivanosura nga përdorimi i gazit lotsjellës. Pra janë një numër i madh banorësh. Një pjesë janë të shtuar në spital, një pjesë jo. Janë lënduar edhe 5 efektivë të policisë të cilët janë larguar pas mjekimit.

Ora 12:40 - Zgjerohet perimetri i banesave që do shemben, një fadroma e IKMT pozicionohet tek rrethrrotullim i  doganës nga krahu i Laprakës.

11:55 - Përplasje mes policisë dhe qytetarëve

Qytetarët janë përplasur me policinë, pasi kjo e fundit nuk i lejonë të kalojnë rrugën.

Ata shprehen se nuk janë lajmëruar për bllokimin e rrugëve. Ndërsa i kërkojë forcave të policisë ti lejojnë të kalojnë.

Ora 11:35 - Avokati i Populli:  Autoritetet shtetërore të mënjanojnë konfliktin me qytetarët

Në lidhje me situatën në zonën e Astriti, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili thotë se prej një muaji ka dërguar në Kuvend një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes. Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre. Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët.

Ora 11:20- Ja kush janë banorët e lënduar

1-Mahmut Imallari 57 vjec
2-Isuf Gjata 80 vjec
3-Artur Muja 43 vjec
4-Gentjan Alla 36 vjec
5-Cerciz Jace 74 vjec|
6-Adelina Shehu 46 vjec
7-Dhurata Shehu 69 vjec
8-Lindita Protoduari

Ora 11:15 Albana Vokshi: Ka persona me kavilje të dalë dhe dhëmbë të thyer

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi thotë se policia ka ushtruar dhunë ndaj banorëve. Në një komunikim për gazetarët nga spitali i Traumës, Vokshi thotë se ka persona me kavilje të dalë dhe dhëmbë të thyer.

Ora 11: 00- Presidenti Meta: E papranueshme dhuna e përsëritur

Kreu i shtetit thotë se është e papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre.

"Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme. Banorët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog", thuhet në reagimin e kreut të shtetit.


Ora 10:35- Momenti kur protestuesja Lindita Protoduari transportohet me ambulancë në spital

Mes banorëve të plagosur është edhe Lindita Protoduari. Ora News ka siguruar momentin kur banorja e Unazës është shoqëruar me ambulancë në spital.

Ora 10:27 -Shkon në 8 numri i protestuesve të lënduar, mes tyre edhe protestuesja Lindita Protoduari.

Ora 10:12 - Thirrja e policisë: Distancohuni nga dhuna, mos nxisni banorët të sulmojnë efektivët

Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të Unazës që të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore. Në një reagim për mediat, policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.

Ora 10:00 -IKMT do të prishë 33 objekte në zonën e "Astirit"

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mengjesin e sotëm prishjen e një sërë objektesh në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, Loti I. IKMT thotë se janë 33 objekte që do të prishen, prej të cilave 21 janë shpronësuar, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Objektet variojnë nga një deri në katër kate. IKMT mbështet në këtë aksion nga policia e shtetit.

Ora 09:43 Burime nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur se personat e lënduar nga përplasje me policinë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ora 09:40 Policia bllokon lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re

Ora 09:30 Gazetari i Ora News, Besar Bajraktaraj raporton për 12 persona të lënduar, 7 protestues dhe 5 efektivë policie. Ndërsa rreth 15 persona që janë shoqëruar në polici, por ende nuk ka një njoftim zyrtar.

Ora 09:15 -Disa banorë kanë hipur në një pallat 6-katësh në shenjë protestë për të kundërshtuar prishjen e këtij objekti.



Ora 09:10 -Në vendin e ngjarjes zjarrfikëset dhe ambulanca

Gazetari i Ora News, Besar Bajraktaraj raporton nga zona e Astriti se ka një numër të lartë të fadromave, të cilat kanë nisur shembjen. Po ashtu në këtë zonë kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe ambulanca.

Ora 09:00 Veliaj: Ndaloni sabitimin e Tiranës

Ora 07:00 Tensionet kanë nisur që prej orës 06:00 të mëngjesit tek ‘Sheshi Shqiponja’, ku ka pasur përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë, ku raportohet edhe për persona të lënduar. Ndërsa banorët pretendojnë se eshte hedhur edhe gaz lotsjellës.

Mësohet se policia ka shoqëruar 10 persona.

Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe ish-deputetët , Edi Paloka, Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari.

LEXO EDHE: Flamur Noka për Ora News: 12 banorë në spital të dhunuar nga policia

Mësohet se banorët e kanë kaluar natën jashtë në mbrojtje të banesave të tyre. Për Ora News një prej tyre tha se situata në këtë zonë është si në luftën e Kosovës. 

LEXO EDHE: Banori i Unazës për Ora News: Situata, si në luftën e Kosovës

Banorët e Unazës së Re kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë shembjen e banesave të tyre.

Forcat e policisë kanë bllokuar rrugën në të dyja anët e Unazës, ndërsa qytetarët janë të agravuar pasi nuk lejohen të kalojnë rrugën për të shkuar në punë.

Lajmi u publikua në orën 7:00 dhe është në përditësim






FOTOGALERI/ Shikoni momentet e përplasjes


EMISIONET