Protesta të dhunshme në Francë, Belgjikë dhe Holandë

Protesta të dhunshme në Francë, Belgjikë dhe Holandë

Policia franceze përdori gazin lotsjellës kundër protestesve, të cilët u mblodhën në Paris për të protestuar kundër taksave të larta dhe kostos së lartë të jetesës në vend. Policia tha se të paktën 8,000 vetë sot protestuan në Paaris dhe qindra prej tyre janë arrestuar pas përleshjeve me forcat e rendit. Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Belgjikë dhe Holandë.

Në prirtje të javës së katërt të protestave të dhunshme, Franca mbylli Kullën Eiffel dhe disa zona të tjera turistike dhe mobilizoi dhjetëra mijëra forca të sigurisë.

Dritaret dhe dyert e shumë dyqaneve në Paris janë mbuluar me materiale mbrojtëse për të shmangur shkatërrimin dhe plaçkitjet.

Më shumë se 89,000 policë janë dislokuar në mbarë Francën për të parandaluar protestat e dhunshme, një rritje e konsiderueshme në krahasim me fundjavën e kaluar, kur në mbarë vendin ishin dislokuar 65,000 policë për vënë nën kontroll protestat, në të cilat u plagosën më shumë se 130 njerëz.

Megjithatë, prania e madhe e policisë nuk parandaloi njerëzit nga përpjekjet për t’iu bashkuar marshimit të sotëm drejt pallatit presidencial.

‘“Ne jemi këtu për t’i shprehur Makronit pakënaqësinë tonë. Nuk kam ardhur këtu për të thyer gjëra sepse unë kam katër fëmijë që janë të frikësuar më këtë që po ndodh. Unë dua që ata të jenë të sigurt. Megjithatë, unë dua të jem këtu që të them mjaft më, kjo duhet të ndalet”, thotë protestuesja Myriam Diaz.

Lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” nuk ka një udhëheqës të qartë, dhe protestat e kaluara kanë tërhequr ekstremistë të cilët kanë hedhur gjëra të forta në dejtim të policisë. Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner u bëri atyre thirrje për qetësi.

“U bëj thirrje ‘jelekëve të verdhë’që duan të sjellin një mesazh të paqes që mos të shkojnë me njerëzit e dhunshëm. Ne e dimë se njerëzit e dhunshëm janë të fortë vetëm atëherë kur fshihen prapa protestuesve të grupit ‘jelekët e verdhë’, një veprim që pengon punën e forcave të sigurisë”.

Që nga fillimi i trazirave në nëntor, si reagim ndaj rritjes së taksës së karburantit, katër njerëz kanë humbur jetën.

Ndërsa Pesidenti Macron hoqi dorë nga rritja e taksës së karburantit, protestuesit kanë bërë kërkesa të reja për trajtimin e çështjeve të tjera ekonomike që po dëmtojnë punëtorët, pensionistët dhe studentët.

Presidenti amerikan, Donald Trump e quajti ditën e sotme në Paris, shumë të trishtueshme.

“Ndoshta është koha që t’i jepet fund Marrëveshjes qesharake dhe jashtëzakonisht të shpenzueshme dhe t’u kthehen njerëzve paratë në formën e taksave më të ulëta? Shtetet e Bashkuara e ka bërë këtë me kohë dhe është i vetmi vend ku çlirimi i gazeve të dëmshme, ra vitin e kaluar”, shkruante ai në Twitter.

Protesta të ngjashme, që duket se janë frymëzuar nga lëvizja ‘jelekët e verdhë’, u zhvilluan sot edhe në Belgjikë dhe Holandë. Qindra protestues u përleshën me policinë gjatë një përpjekje për të hyrë në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Bruksel. Protestuesit bënë thirrje për doreheqjen e Kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel./VOA

EMISIONET