Prej së shtunës ka një impenjim diabolik për ta orientuar publikun që ta lexojë si dështim protestën e opozitës më 26 maj, duke e barazuar këtë kauzë të saj me numrat e pjesëmarrësve në të. E për pasojë, duke e bërë të pabesueshme edhe ndjeshmërinë publike ndaj ministrit të Brendshëm, vëllai i të cilit “u vetëdorëzua” në Itali, për të vuajtur dënimin e vjetër për narkotrafik.

Ky në fakt është skenari që i volit një kryeministri, dukshëm i lodhur, nga skandalet me të njëjtën kryefjalë, bashkudhëtarë të qeverisjes së tij prej pesë vitesh. I shkon për shtat mohimit, që po prej pesë vitesh, i bën çdo fakti që i vihet përballë, që prej marrjes së detyrës, me individët e inkriminuar, që vetë përzgjodhi për në Kuvend e pushtetin vendor. Një rast flagrant ky, që e bëri Shqipërinë, vendin unik, që ka një ligj për dekriminalizimin. Pra, një ligj të posaçëm, për të pastruar ata individë, që Edi Rama i futi në organet që përfaqësojnë shqiptarët. Natyrisht që duhet të jesh naiv, ose militant i thekur, të besosh se kanabisi e trafiku i drogave të forta lindën me ardhjen e Edi Ramës në pushtet. Por ama kurrë më parë, si prej 2013-ës, nuk kemi asistuar në rrëzime të përsëritura avionësh që transportonin drogë. Kurrë më parë një ministër i Brendshëm nuk është vënë nën hetim për trafik ndërkombëtar droge, njëlloj si kushërinjtë e tij, të arrestuar nga Italia për trafikun që bënin, teksa kushëriri i tyre i largët, autoriteti më i lartë i rendit publik, duhej t’i ndalonte. Kurrë më parë nuk kemi parë kupolën e policisë së Vlorës në arrati, me akuza për trafik ndërkombëtar droge, në të njëjtën zonë, ku vepronin kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm, e ku sot po hetohet se vepronte edhe vëllai i ministrit aktual të Brendshëm.

Kush mat me numra protestuesish, suksesin a dështimin e asaj proteste, duke anashkaluar qëllimshëm kauzën, “harron” se ishte presioni i kësaj opozite, që sot po përqeshet e madje edhe kompleksohet për numrat e protestuesve në shesh, ai që solli “vetëdorëzimin” e vëllait aktual të ministrit të Brendshëm në Itali, për të vuajtur dënimin me 7 vjet burg për narkotrafik, të cilit i fshihej prej vitesh në Shqipëri.

E njoh personalisht politikanin Fatmir Xhafaj, e si gazetare i kam vlerësuar gjithnjë, që në qeveritë socialiste të Majkos e Nanos ku ka shërbyer, profesionalizmin e integritetin e spikatur për të mos u bërë kurrë një papagall i kryetarit, nga ai lloj, që PS prej 2005-ës i prodhon në seri e me të njëjtën prerje. Të njëjtin integritet i kam njohur edhe vitet e fundit, sidomos profesionalizmin e ftohtë, edhe kur kulisat e llojit të vet e linin pa tekst në debatin e fortë për reformën në drejtësi, që vetë udhëhoqi. Duke i besuar ndjeshmërisë njerëzore, që secili prej nesh do kishte për familjarin e afërt në të njëjtën pozitë, ç’ka nuk shkon është insistimi për të mos njohur ç’ka është e dukshme: vëllai që ndryshon emrin nga Agron në Geron, teksa ka një dënim në fuqi për narkotrafik si Agron. Ky është një detaj aspak për t’u anashkaluar, apo mbuluar me integritetin e vëllait politikan. Ky insistim mohues është në fakt tipik i kryeministrit, por jo i politikanit Xhafaj, që në të kaluarën e ka kryer aktin moral, që tani e refuzon. Këtë hije të errët, krejt të panevojshme, një politikan si Fatmir Xhafaj mund t’ia kursente vetes e karrierës së tij, të cilën në rastin konkret, po e var nga gjykimi i një kryeministri që gjithnjë ka mohuar, edhe me humor “kriminelët” e vet, por në fund i kanë rezultuar të tillë. Është ajo qasje e faktuar, e vetëm ajo, që fatkeqësisht rrit skepticizmin se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Një kryeministër me këtë lloj bilanci, që vetëkënaqësinë narciziste ua përplas përditë në fytyrë qytetarëve të vet, me një TV, që mban emrin e tij e që kalon orë të tëra në takime televizive, edhe pse nuk jemi në fushatë zgjedhore, nuk është një model mbresëlënës për homologë, pasi edhe kurora e artistit nuk ia mbulon dot 20 vitet në politikë, 18 nga të cilat në pushtet, vendor e qendror.

Padyshim që arroganca, edhe numerike e këtij kryeministri nuk frenohet duke i bërë kritizerin, apo opozitën opozitës. Nuk ka dyshim se Lulzim Basha ka pjesën e vet të rëndësishme të përgjegjësisë për rehatinë e kryeministrit. Së fundmi, përralla se opozita po pengon hapjen e negociatave, ngjiti deri diku, kur Lulzim Basha mblodhi të vetët e as mbështeti, e as votoi në parlament rezolutën e qeverisë për hapjen e negociatave, një akt formal, që vetë socialistët e kanë kryer dikur në opozitë. Natyrisht ky moment, ashtu si akuzat e saj ndaj qeverisë, nuk e bëjnë opozitën aq të fuqishme sa të ndikojë në hapjen e negociatave, e i pari kryeministri, e di mirë këtë gjë. Vetëm në Shqipërinë e Enver Hoxhës, ç’ka ndodhte brenda vendit, nuk dilte dot jashtë tij. Më së paku, secili nga 27 vendet anëtare të BE-së ka përfaqësinë e vet diplomatike në Tiranë, e një pjesë, përfshi SHBA-të, kanë edhe struktura më të specializuara për të lexuar saktë çfarë ndodh në këtë vend. E sehiri nuk është detyra për të cilën paguhen. Kjo vërtetohet në çdo raport a deklaratë, që publikohet prej tyre.

Sot Lulzim Basha ka problem më të madh se mbledhja e njerëzve në protestë: finalizimin e aksionit opozitar. Premtimin për ecurinë e aksionit nuk ua dha dot në shesh protestuesve më 26 maj, por e korrigjoi më vonë, nga selia e PD, me një mesazh të brishtë në raport me rëndësinë që ka kauza aktuale.

Edhe pse siç pritej, nuk pranon ta lexojë protestën së opozitës, njerëzit e kanë lexuar mirë kryeministrin. Kjo duket jo vetëm në kundërshtitë, që i vijnë hapur në takime me militantë e gazetarë, apo në braktisjen që i bënë shumica e mediave takimit që organizoi në të njëjtin orar me protestën e opozitës. Propaganda qeveritare është tashmë lehtësisht e lexueshme, e këtë nuk po arrin ta shfrytëzojë Lulzim Basha. Mënyra se si forcoi pozitat në krye të PD, e hija e 18 majit janë ende aty, e së pari Lulzim Basha duhet të mos përsërisë veten, duke i karikuar demokratët apo qytetarët indiferentë politikisht, për t’i braktisur më pas, kur pritshmëritë kanë shkuar shumë larg. Po aq mbetet një akt i munguar, hapja reale e jo verbale e partisë, me njerëz që i sjellin një emër PD e jo thjesht individë, që e krijojnë emrin, duke u bërë pjesë e saj. Njëlloj si për Ramën, pesë vjet në krye nuk janë pak, që një lider të ndërtojë besimin e të frymëzojë qytetarë të pakënaqur, që dukshëm, si dritë në fund të tunelit, shohin vetëm largimin nga ky vend. Është koha që Lulzim Basha të bëjë diferencën, njëlloj si me protestat, një model larg dhunës, që e veçon nga Berisha e Rama. Por nëse ato nuk pasohen nga një aksion politik i mirëmenduar, do katandisen në manifestime numerike, për t’i shërbyer si sfond fjalimit të liderit. Madje pjesëmarrësit, më shumë herët se vonë, do mallkojnë veten, që si të shtunën e 18 majit, me temperaturat e plazhit e ethet e Champions-it, iu përgjigjën Bashës për protestë. (Gazeta Shqiptare)

/Ora News.tv/