Rreth 250 mijë protestues çekë tubuan të dielën në Pragë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Andrej Babish.

Kreu i ekzekutivit akuzohet për përvetësimin e fondeve të Bashkimit Europian me vlerë miliona euro, të cilat u kanalizuan tek një kompani e themeluar prej tij.

Protesta e së dielës ishte e pesta brenda pak javësh, e organizuar në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrjen edhe të fëmijëve.

Me pankartat në duar që lexonin "Dorëhiqu", "Mjaft më", "Nuk heqim dorë nga demokracia", protestuesit përsëritën thirrjet edhe për largimin e ministrit të ri të drejtësisë, që u emërua pak kohë pasi filluan hetimet.

Akuzat ndaj kryeministrit Babish u konfirmuan në muajin maj edhe nga auditorët e BE-së, duke e fajësuar kryeministrin për konflikt interesi dhe duke paralajmëruar një gjobë rreth 20 milionë euro kundër Republikës Çeke.

Ish-biznesmeni miliarder Babish i ka mohuar akuzat, dhe ka sulmuar auditorët e BE-së se po përpiqen të destabilizojnë vendin.

Kryeministri populist çek drejton vendin prej vitit 2017 dhe partia e tij ANO mbetet partia më popullore në vend.

Të mërkurën ndaj Babish është planifikuar një mocion mosbesimi, por që ai pritet ta kalojë me sukses pasi gëzon mbështetjen e mjaftueshme në parlament.

/Ora News.tv/