Prokuroria ka nisur hetimin për 770 objekte në Tiranë dhe Vorë. Për objektet e para vitit 1990 po verifikohen se cilët persona kanë dëmtuar themelet ose kanë ndërhyrë në strukturë. Sa i përket ndërtesave të 27 viteve të fundit do të merren në pyetje inxhinierët dhe kolauduesit, për të parë se sa janë zbatuar rregullat dhe ligjet në ndërtim.

Inspektimet janë kryer në pallatet para dhe pas 90-ës, në pallate që nuk u dihet viti, shkolla dhe banesa.

Kontrollet janë kryer zonat nën mbikëqyrjen e 6 komisariateve, në Vorë dhe Kavajë. Sipas një dokumenti të hartuar nga bashkia dhe policia të dorëzuar në prokurori më problematike sa i përket rezistencës ndaj tërmeteve janë objektet e ndërtuara para viteve 90, 383 prej të cilëve janë klasifikuar të pabanueshëm.

Ndërkohë problematik janë dhe 35 pallate të ndërtuara pas 1990.  Rezulton se për 25 objekte ende nuk është siguruar dokumentacioni për vitin e tyre të ndërtimit.

Prokurorët mësohet se kanë zhvilluar bisedime me banorët e objekteve më të dëmtuara. Ndërsa do të nisë dhe marrja në pyetje e projektuesve, inxhinierëve zbatues, kolauduesve si dhe investitorëve.

Për të mos lejuar prishjen e provave prokuroria ka kërkuar që të mos lejohen ndërhyrjet për të riparuar dëmet. Kjo pasi çdo lëvizje do të sillte edhe prishjen e provave. Sa i përket ndërtimeve të para vitit 1990 hetimet do të përqendrohen në ndërhyrjet në katet e para duke dëmtuar themelet.

/Ora News.tv/