Projekti i bulevardit “Zogu i Parë”, banorët kundër grilave metalike: Bashkia të tërhiqet, duhet gjetur zgjidhje tjetër

Disa ditë pas denoncimit të zëdhënëses së PD, Ina Zhupa për projektin e bulevardit “Zogu i parë”, ditën e sotme (3 korrik) ajo ishte vetë në terren për të kontaktuar me qytetarët.

Sipas asaj që ka denoncuar Zhupa, dritaret dhe ballkonet e banesave përgjatë këtij aksi do të mbyllen me grila metalike, një fakt ky që ka shqetësuar jo pak banorët.

Ajo thotë se kjo ndërhyrje është bërë pa miratimin e banorëve si fillim, ku këta të fundit kanë firmosur një peticion ku i kërkojnë tërheqje Bashkisë së Tiranës nga “izolimi” i ballkoneve.

Vetë një prej banorëve shprehet se që prej fillimit të këtij projekti, askush nuk e ka marrë mundimin për të kontaktuar me ta për t’iu thënë se do të vendosen grilat metalike.

Ai i bën thirrje Bashkisë së Tiranës që të tërhiqet dhe të gjejë një zgjidhje alternative. Madje ai tregohet i gatshëm që të bisedojnë dhe të konsultohen për zgjidhjet e mundshme.

“E kundërshtojmë projektin pasi zgjidhja që ka gjetur kryetari i Bashkisë Tiranë për të mbyllur me grila nuk është zgjidhje e mirë për ne. Duhej të ishte konsultuar më parë me ne. Grilat e vendosura nuk kryejnë asnjë funksion, nuk na mbron as nga dielli e as nga shirat. Unë personalisht kam kontaktuar me drejtoreshën e përgjithshme të bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës duke i kërkuar zgjidhjen e duhur. Ne nuk e kundërshtojmë projektin, duhet ta shohin këtë problem nga ana arkitekturore dhe funksionale. Ai duhej të na lajmëronte që do të bëjmë ndërhyrje, duam bashkëpunim. Jemi gati që të konsultojmë”.

Denoncimi i Zhupës: Veliaj po i "mbyll në burg" me grila metalikë banorët e bulevardit Zogu i Parë


EMISIONET