Arrestohet pronari punishtes në Muriqan

Arrestohet pronari punishtes në Muriqan

Është arrestuar në Muriqan pronari i punishtes që prodhonte produkte ushqimore në kundërshtim me ligjin.

61-vjeçari Gëzim Bala, banues në lagjen “Ahmet Haxhija” në Shkodër, ishte shpallur në kërkim nga uniformat blu.

Edhe pse në mars të 2018 ju ndalua prodhimi i artikujve ushqimorë, gjatë kontrollit në punishten e tij në lagjen "Skënderbeg" muajin e kaluar (16 tetor) u konstatua se nuk zbatoi urdhrin.

“Në lagjen "Skënderbeg", në zonën industriale ish-fermentimi, në punishten e firmës së këtij shtetasi, më datë 16.10.2019 është konstatuar se prodhoheshin përsëri produkte të ndryshme ushqimore në kundërshtim me ligjin, edhe pse e kishte të ndaluar që nga data 28.03.2018 prodhimin e artikujve ushqimorë,”-informon policia.

Në këtë punishte Gëzim Bala, sipas policisë prodhonte salca, turshi dhe reçelera. 

Gjithçka bëhej jashtë kushteve higjeno-sanitare, duke bërë që edhe produkti që u tregtohej konsumatorëve të ishte i rrezikshëm.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore" dhe "Fshehja e të ardhurave".

LEXO: Punishtja zyrtarisht e bllokuar vijonte prodhimin në Shkodër



EMISIONET