Presidenti kinez: Supermacia racore, budallallëk

Presidenti kinez: Supermacia racore, budallallëk

Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje për përafrim të shteteve dhe ka cilësuar “budallallëk” supremacinë raciste, në kohën kur janë rritur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Këto janë deklaratat e para publike të presidentit kinez, prej kur është përshkallëzuar konflikti tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, me rritjen e tarifave nga të dyja palët.

Xi nuk ka përmendur SHBA-në, apo luftën tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo është fokusuar në prezantimin e Kinës si shtet “i hapur”.

Ai ka thënë se qytetërimet e ndryshme nuk janë krijuar për t’u përplasur.

“Të menduarit se një racë apo kulturë e dikujt janë superiore dhe insistimi në transformimin apo zëvendësimin e qytetërimeve tjera është budallallëk dhe praktikë shkatërruese”, ka thënë ai në një konferencë në Pekin, të organizuar nga ministria kineze e Propagandës.

“Nuk ka përplasje në mes të qytetërimeve të ndryshme, vetëm na duhet që të kemi sy për të vlerësuar bukurinë e të gjithë qytetërimeve”, ka thënë ai.

Presidenti kinez ka shtuar se Kina vetëm do të jetë më e hapur ndaj botës në të ardhmen.

“Sot Kina nuk është vetëm Kina e Kinës. Është Kina e Azisë, dhe Kina e gjithë botës. Kina në të ardhmen do të jetë më e hapur ndaj botës”, ka thënë ai në forum.

Në konferencën e të mërkurës, me pjesëmarrës nga Greqia, Shri Lanka dhe Singapori, është vlerësuar se Kina ka bërë përpjekje për të zbutur imazhin e saj në botë.

Ky shtet komunist është përballur me kritika të ashpra për kontrolle kibernetike, si dhe për trajtimin e myslimanëve në rajonin Xinjiang.

Përndryshe javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë rritur tarifat në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, derisa zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kinën për mospërmbushje të zotimeve.

Kina në anën tjetër ka thënë se do të prezantojë tarifa më të larta në mallrat amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve nga muaji qershor.

Presidenti kinez, pritet të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në Japoni muajin e ardhshëm.

Trump ka thënë se SHBA-ja do të arrijë marrëveshje me Kinën “kur është koha e duhur”./rel

EMISIONET