Presidenti, Ilir Meta, thotë se nuk ka qenë aspak emocionale në deklarata e tij më herët që parlamenti mund të shpërndahet me një dekret.

Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat, Meta u kujdes të nënvizonte se Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe për këdo dhe nuk mund të luhet me të.

Ilir Meta: Garante e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese, pastaj Presidenti e me radhë.Parlamenti me një dekret shpërndahet,  se në çfarë rrethanash dhe si është çështje tjetër. Presidenti shkarkohet nga ai parlament legjitim dhe në fund fare e shkarkon Gjykata Kushtetuese. Qeveria a rrëzohet me një mocion mosbesimi? Nuk ka me Gjykatën Kushtetuese, dhe këtu nuk luhet, është vijë e kuqe për cilindo. Është e vetmja që mund të mbrojë popullin shqiptar, interesat kombëtare dhe shtetërore. Një Gjykatë Kushtetuese e zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, të paligjshme, e zgjedhur në mënyrë mafioze kërcënon seriozisht interesat shtetërore dhe kombëtare dhe të drejtat e qytetarëve.

Meta tha se nese do te tolerohet marrja e Gjykatës Kushtetuese ka përfunduar shteti i së drejtës dhe popullit i mbetet vetëm të marrë armët 

Pyetje: Nisur nga fakti dhe nga përplasja që krijoi edhe rezoluta si edhe dekreti juaj...

Ilir Meta: Cila rezolutë? Përplasjen nuk e ka krijuar rezoluta, përplasjen e ka krijuar personi i cili të hënën shkon për hetim në Prokurori, në mënyrë shumë të qartë. Duan t’i dalin në mbrojtje ata me rezolutë këtyre veprimeve? Kuptohet ajo është normale, sepse ai nuk i ka bërë padashje këto veprime, këto janë shumëmirë dokumentuara, që çdo gjë është e qëllimshme. Përse? Për të kapur edhe Gjykatën Kushtetuese, sepse çdo gjë tjetër e kanë kapur, tani do të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

E çfarë u mbetet njerëzve pastaj në këtë vend? Parlamentin e kanë kapur, pushtetin lokal e kanë kapur në mënyrë paligjshme, atë Prokurorinë e kanë kapur. Të shohim tani kjo është një provë e madhe për Prokurorinë, shpresojmë që t’i japë drejtim kësaj çështjeje. Gjithë gjërat e tjera i kanë kapur, çfarë ka mbetur këtu? Këtu njerëzve u ka mbetur, në qoftë se Presidenti do të tolerojë veprime të tilla mafioze, të cilat krijojnë Gjykatë Kushtetuese me betime fshehurazi andej-këtej, padyshim që Presidenti është i detyruar t’i thotë popullit shqiptar që këtu ka përfunduar çdo gjë lidhur me shtetin e së drejtës. Çdo mundësi demokratike për ndryshim në mënyrë demokratike.

Dhe këtu kanë mbetur tre rrugë nëse Presidenti do të pranonte këtë gjë: o njerëzit për ndryshimin të marrin armët, gjë që është e dënueshme dhe e papranueshme,ose të bëhen skllevër të një regjimi njëpartiak, që e kanë provuar për 40 vjet, ose të ikin të gjithë nga Shqipëria. Të tre janë të papranueshme, por ato dy të fundit për mua janë tmerrësisht të papranueshme." 

/Ora News.tv/