Presidenti i Katalonjës kërkon ndaljen e dhunës në protesta

Presidenti i Katalonjës kërkon ndaljen e dhunës në protesta

Situata në Katalonjë mbetet e tensionuar pas katër ditëve protesta dhe përleshje mes banorëve dhe forcave të policisë. Presidenti i rajonit gjysmautonom spanjoll apelon qytetarët për vetëpërmbajtje dhe u ka premtuar vitin e ardhshëm një referendum për pavarësimin nga Spanja.

Presidenti i rajonit gjysmëautonom spanjoll të Katalonjës ka bërë thirrje për ndaljen e menjëhershme të dhunës që kanë përfshirë kryeqytetin.

Kreu i shtetit, Kim Tora, i tha parlamentit të enjten se kërkesën e qytetarëve për pavarësi nga Spanja do ia kalojë ligjvënësve katalonas pranverën e ardhshme në formën e referendumit.

“Paqja është e vetmja alternativë se si do arrijmë drejt pavarësisë. Ju bëj thirrje për qetësi dhe sjellje qytetare pasi ne, separatistët, nuk flasim me gjuhën e dhunës e as dhuna nuk na identifikon,” iu drejtua Tora kuvendit rajonal.

Të mërkurën protestuesit u përleshën sërish me forcat e policisë.

Rreth njëqind persona mbetën të plagosur nga kundërmësymja e autoriteteve, të përballura me bombat molotov, objektet e forta dhe zjarrvënësit.

Protestat nisën të hënën kur Gjykata e Lartë spanjolle vendosi të dënojë nëntë liderë katalonas se dy vite më parë kishin tentuar pavarësimin e vendit përmes një referendumi pa miratimin e Spanjës.

Kundër burgosjes së tyre u derdhën të enjten mijëra studentë në rrugët e Katalonjës.

Trazirat e ditëve të fundit kanë bllokuar aksesin në aeroporte, rrugë dhe hekurudhat e rajonit verilindor, ndërsa kryeministri në detyrë i Spanjës, Pedro Sançez ka njoftuar se me vijimin e situatës, mund të pezullojë rendin ligjor dhe pushtetin vendimmarrës të rajonit.

EMISIONET