Sociologjia politike e Kosovës në këto ditë bën një hap tjetër drejt kthjellimit të saj. Ajo dëshmon edhe më mirë e në mënyrë më kritike të njëjtën të vërtetë që po e mban peng Kosovën. Janë dy të vërteta historike në thelb të saj, në thelb të sociologjisë së saj politike: në integralin historik të shqiptarëve, prej Kosovës ka ardhur pjesa më e madhe e përcaktueshmërisë kombformuese; në shprehjen politike, prej Kosovës ka ardhur momenti më i madh i shfaqjes së shqiptarëve në politikën botërore. Përballja me armikun më të madh e më agresiv e ka bërë Kosovën të jetë shtytësi më i fortë drejt pranverave shqiptare. 

Përballja me këtë armik, në kohën më të keqe, kur Kosova mbetej shënjuesi i vetëm i Serbisë si një fuqi jugosllave në rajon dhe Evropë, përballja pikërisht në formën e një lufte çlirimtare, të angazhuar në formën e ushtrisë çlirimtare, e solli Kosovën jo në rend të ditës në botë, por e bëri elementin e vetëm të një gjeopolitike që më shumë se ç’ndante shtetet, ndante përbërësit shoqërorë, politikë dhe ushtarakë të tyre. Në vitin 1997, Kosova i futi shqiptarët në historinë politike të botës dhe e zëvendësoi gjeo-politikën me histo-politikë. 

Atë që sistemi internacionalist izolacionist i komunizmit shqiptar nuk mundi ta bëjë aspak, saktësisht atë gjë e realizoi orientimi i të vërtetës së popullit të Kosovës drejt përbërësit të tij luftarak. Populli shqiptar zbuloi përmes Kosovës, dhe Kosova zbuloi përmes ushtrisë së saj thelbësinë politike të realizimit: në kombinimin e çastit mes trupës së saj njerëzore dhe realitetit të saj historik qëndron mundësia për me qenë aktualitet historik dhe politik. Kur orientimi i një populli bëhet kah realiteti, ky popull është historik. Nuk ka hiç rëndësi nëse i tërë ky popull gjendet me armë në dorë apo jo. Mjafton që masa e tij e më e madhe të synojë në shumicën e inteligjencës së vet të njëjtën zgjidhje. 

Kjo ishte fitorja më e madhe e kryer ndër shqiptarë, edhe pse në dukje ajo vendosej në pjesën veriore. E njëjta gjë përfshiu edhe Shqipërinë lindore. Sepse kur e vërteta ta përfshin mendimin të del gjumi dhe të pushton zgjimi ose zgjuarsia. 

Por fatkeqësisht, për njëzet vite resht u punua rrënimi i kësaj fitoreje gjeopolitike nga vetë shqiptarët. Në dimrin shqiptar të përhershëm të Tiranës datat politike të Kosovës shoqëronin me makthin e mungesës së rrjedhave 2 Korrikun e Kaçanikut me 2 Korrikun e ambasadave dhe 1997-s e protestave studentore dhe shpalljes së UÇK-së me shembjen e piramidave. 

Kosova kthehej si dikur me Prizrenin në shprehësin e alternativës politike të shqiptarëve. Tirana kthehej si përherë, me idenë vetëvrasëse të 28 mijë kilometrave katrorë, gjë që e kishte futur në gji dhe në tru të manualeve shkollorë shqiptarë, pra në gji dhe në mendje të fëmijës në copën e saj të vetme shtetërore, në reaksion dhe depresion politik të shqiptarisë. 

Kosova ishte plaga e një trupi, ndërsa Republika shqiptare ishte paraliza e tij. Plaga ngjall, paraliza nguros. Këto ishin dy sjelljet që drejtuesit e Kosovës së çliruar do t’i mësonin shpesh dhe shpejt prej drejtuesve politikë dhe akademikë të Tiranës. Drejtuesit e Kosovës harronin atë që si duket nuk e kishin kuptuar kurrë. Plaga e kishte kthyer historikisht Kosovën në vendin e pranverës së shqiptarëve. NË Kosovë gëlonin pranverat dhe protestat, në Tiranë përgjumja dhe persekutimi. Plaga e kthente Kosovën në transhendentalin politik dhe historik të shqiptarëve. Plaga përputhte të qenit politik dhe historik. Transhendentali i shqiptarëve është përputhja e historicitetit me politicitetin. Le ta themi ndryshe, një trup i plagosur është i gjallë vetëm te plaga, e shpreh rigjenerimin e vet vetëm te plaga. Një trup i paqtuar me plagën e vet, apo e ka harruar plagën e vet, është një trup që shkon drejt vdekjes. Format e shtetimit të shqiptarëve kanë qenë harresa institucionale sistematike dhe sistemike e trojeve të saj. Sa herë që ka shtet, shqiptari humb troje dhe përvetëson dëshpërim. Pa shtet, shqiptari i mbron trojet e plagosur më mirë e më me lavdi. 

Flamuri shqiptar ngrihej vetëm në Kosovë. Po bëheshin përpjekje të ngrihej në Lindjen e shqiptare maqedone dhe në jugun e saj çam. Por flamuri shqiptar në Tiranë qe shndërruar, dhe vijon ende të jetë i shndërruar, në simbolin e asgjësë. 

Popullin e rezistencës pacifike rugoviane në Kosovë e zëvendësoi populli i rezistencës luftarake nën ermin e Adem Jasharit. Sot e ka zëvendësuar populli i rezistencës shteformuese nën emrin e Albin Kurtit. Nuk janë popuj të ndryshëm. Por janë moshat dialektike të të njëjtit popull. Janë emrat nën të cilët është thrrur integralisht elementi shqiptar i Ballkanit dhe mërgata si element shqiptar në planet për me ekzistu në realitetin politik të botës. Secila moshë ka maksimumin dhe ngopjen e saj. Secila moshë është brenda çdo shqiptari politik. Çdo shqiptar i Kosovës sot i ka këto tri mosha në mendje e në trup të tij. 

Po ç’bën me to, kjp është pyetja socio-politike. Në vend që t’i mbaj të gjalla në historicitetin e tyre, në të shumtën e rasteve ai kërkon t’i mbajë të gjalla për me vra aktualitetin e tij. Shqiptari, në masën më të madhe nuk kupton se prirja pacifiste në luftë ishte korruptim, ashtu siç nuk kupton sot se prirja komandante në shtet është korruptim. Nëse kërkon të mbash domethënien historike në aktualitet me çdo kusht, jashtë moshës dialektike të historisë, nuk ke bërë tjetër veçse ke punuar për korruptimin e qenies tënde. Kështu që sot ndeshen dy shoqëritë e mëdha politike të Kosovës dhe shqiptarisë: korruptimi dhe aktualiteti. Dy prej tri moshave paraqiten më kot si linja politike. 

Korruptimi i popullit të pacifizmit së LDK-së ndodh si korruptim i vullnetit. Korruptimi i LDK-së është kundërthënia masive mes bazës së saj dhe kryesisë së saj, gjë që e kthen elektoratin e saj nga popull në një turmë skizofrene. Populli i LDK-së kthehet në turmë që asgjëson vullnetin e vet. Ndërkohë që shumica e bazës së LDK-së kërkon të jetë në rrjedhat e shtetformimit dhe sheh drejt LV-së, shumica e kryesisë së saj shkon fatalisht drejt krahut të korruptuar të luftës. Ky është korruptimi i vullnetit, korruptim i moshës së rezistencës pacifiste dhe korruptim i rezistencës luftarake. 

Populli i LDK-së sheh drejt Albin Kurtit, ndërsa kryesia e saj sheh për nga Thaçi, Veseli, Haradinaj apo Limaj. Kjo skizofreni e kthen popullin e LDK-së, një moshë dialektike një herë e një kohë nën drejtimin e Rugovës, në një turmë që mund të shkelet në moral e në vullnet pa skrupuj prej kryesisë së saj. Populli i LDK-së rrezikon të shndërrohet në një turmë fatalisht dhe përfundimisht. E për mos t’u kthyer përfudnimisht në turmë, Lëvizja Vetëvendosje! e ka thirrur këtë masë shoqërore në koalicionin parazgjedhor ku mund të rimëkëmbë vullnetin, nderin e historinë e vet. Të shohim ç’do të bëjnë kryesuesit e saj. Sa për popullin e LDK-së, ai e ka në dorë ta rimarrë fatin edhe në ditën e zgjedhjeve.

Korruptimi i popullit të komandantëve PDK-së, AAK-së dhe Nismës ndodh si korruptim i inteligjencës. Kjo do të thotë se nën komandantët gjendet një popull që llogarit gabim fatet e vet, në pasurimin individual dhe humbjen apo dështimin kolektiv. Një ujk që kërkon të përvetësojë tërë faunën e pyllit, harron që rrezikon të jetë ujku i një lloji të marrë fund. Korruptimi e ka reduktuar popullin e komandantëve në bandë. Ndaj dhe nuk habitemi që mbeturinat morale të partiçkave të tipit të PSD-së të shkojnë në koalicion me bandat. Ku ka kriminelë të mëdhenj, tamam aty vrapojnë me e ndërtu karrierën e tyre kriminelët rrjepacakë. 

Kur Lëvizja Vetëvendosje i thërret populli të LDK-së për mos me u kthy në turmë, ndërkombëtarët kanë nisur me i thirrë popullit të PDKAAKNSD-së të mos kthehet në bandë, në korruptimin masiv të inteligencës së vet. Ata po kërkojnë nga të korruptuarit në shtetformim të luftojnë korrupsionin. Kjo është thirrje absurde. Ndërkombëtarët mund ta bëjnë një thirrje të tillë, ngaqë nuk janë shteformues por ndër-shtetërorë. Ky shtet i Kosovës nuk është shtet i tyre. Për ta nuk është keq që të jetë një shtet multietnik, të sytabilizohet duke mos ekzistuar shprehimisht por dobët. Kur Lëvizja Vetëvendosje! thërret popullin e LDK-së, e bën jo me shpresën por me besimin në vete, sepse është lëvizje e shqiptarëve që e shohin shtetin e Kosovës më së pari si shtet të shqiptarëve.

Këto zgjedhje që po vijnë na vendosin para kthjellimit sociologjik të shoqërisë sonë. Dhe kthjellimi sociologjik ndodh kur një popull i kundërvendoset korruptimit të inteligjencës në forma banditeske dhe atyre të vullnetit në forma turme.

Natyrisht edhe kësaj here është Kosova ajo që do t’i orientojë shqiptarët drejt aktualitetit politik botëror. Sepse Tirana do të jetë gjithnjë e më e dobët, me një popull deri tanimë letargjik që nuk ndjen as krizë e as plagë. Rigjenerimi nis prej palgës. Pranvera do të nisë prej Kosove.

/Ora News.tv/