PPP i sterilizimit “sëmur” buxhetin

PPP i sterilizimit “sëmur” buxhetin

Koncesioni i sterilizimit të paisjeve mjekësore e kirurgjikale ka krijuar probleme në buxhet duke sjellë dëmtimin e rëndë të financave publike. Në auditimin e kryer nga KLSH për këtë koncesion është konstatuar rritje e vlerës së shërbimit duke krijuar detyrime shtesë në vlerën e 306 mln lekëve. Ndërkohë shqetësim mbetet edhe fakti që institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për të mbajtur nën kontroll shpenzimet çka ka sjellë edhe anulimin e operacioneve në spitale.

Koncesionet në shëndetësi janë kthyer në një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit. Sipas auditimit të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe koncesioni për sterilizimin e paisjeve mjekësore po rëndon arkën e shtetit, pasi ka tejkaluar planin e financimeve me rreth 306 milion lekë.

Nga auditimi rezultoi se këtë vit, krahasuar me një vit më parë, vlera e këtij shërbimi është rritur për 954 milion lekë, ose 84% më shumë se një vit më parë, ndërkohë që ky ndryshim nuk ishte parashikuar nga institucioni, duke sjellë krijimin e detyrimit të prapambetur në vlerën 306 milion lekë.

Shqetësim është edhe fakti që kjo rritje nuk ka vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse për të analizuar faktorët dhe për të marrë masa për të mbajtur këtë lloj shpenzimi nën kontroll, por pa krijuar probleme në shërbimin ndaj qytetarit.

Sipas FDSKSH gjatë 2018 në vend janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje. Ndërsa mësohet se për këtë shkak të tejkalimit të shpenzimeve  është ndaluar kryerja e disa operacioneve të lehta, të tilla si, bërja synet. Edhe pse kontrata e koncesionit të sterilizimit ka hyrë në vitin e saj të tretë të operimit në Shqipëri janë hasur probleme  serioze në drejtim të parashikimit të kostove pasi kërkesa për ndërhyrje kirurgjikale ka qenë më e lartë se parashikimi për financimin e saj në buxhetin e vitit 2018.

“Sani Servis shpk”  thuhet në raport  ka pasur kërkesa periodike pranë autoritetit kontraktor MSHMS dhe pranë MFE për rritje të kufirit të shpenzimeve, por  nuk është bërë e mundur të likuidohen të gjithë detyrimet për shkak të respektimit të limiteve buxhetore,  ndërsa rritja e këtij detyrimi këtë vit është në nivele shumë të larta. Kontrata e sterilizimit të pasijeve mjekësore në Shqipëri është marrë nga Kompania Sani Servis  me pronar Ilir RRAPAJ , me vlerë prej 12,3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2025.

EMISIONET