Porti i Durrësit si doganë për Kosovën, Andoni: Zgjidhje shumë e mirë, bën funksionale Rrugën e Kombit

Porti i Durrësit si doganë për Kosovën, Andoni: Zgjidhje

Në vizitën e tij të parë si kryeministër në Shqipëri, Avdullah Hoti, foli për 3 projektet “strategjike të Kosovës”: pikë doganore të veçantë për Kosovën në port të Durrësit; ndërtim të një hidrocentrali nga qeveria e Kosovës në Shqipëri dhe ndërtimi i një hekurudhe Shqipëri-Kosovë.

Analisti, Ben Andoni, e sheh shumë pozitive shfrytëzimin e portit të Durrësit nga Kosova, që sipas tij do të bënte funksionale edhe Rrugën e Kombit.

Andoni: Hoti është një teknokrat që edhe në partinë e tij LDK është diçka në hije. Njeh logjikën ekonomike dhe shifrat, e ka të pamundur të bëjë show si paraardhësit e tjerë. Teknikisht është folur për atë zgjidhje shumë të mirë në portin e Durrësit. E dini se porti i Shëngjinit gjithmonë i është ofruar Kosovës por asnjëherë nuk është parë e mundshme që si ky port shumë afër Kosovës mund të ndihmohej, përmirësohej dhe të mos kishte kosto aq të lartë. Tani është folur që një pjesë e kalatave të portit të Durrësit ti jepen Kosovës. Teknikisht është e mundur dhe nga ana tjetër funksionalizon Rrugën e Kombit. Kjo rrugë sot e kësaj dite është e papërfunduar.

Duke u ndalur te dialogu Kosovë-Serbi, Andoni thotë për Rtv Ora se është futur në një rrugë të vështirë. Andoni: Nga ana teknike Hoti mund ta vazhdojë por asnjëherë në aspektin politik. Hoti dhe partia e tij nuk ka mbështetje nga spektri i gjerë politik kosovar. Për dialogun duhet të ishin të bashkuar

Ai vlerëson se Presidentin Thaçi e ndajnë pak ditë nga e vërteta e madhe, nëse do të merret apo jo nga gjykata si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Andoni: Ka edhe pak ditë nga e vërteta.,Nëse gjykatësi do ta marrë aktakuzën dhe provat janë bindëse, Thaçi është i detyruar të japë dorëheqjen. Është lënë shteg në këtë moment që të ofrohet dhe PDK, kjo ja ul pak kreditet Hotit.

Ndërsa pritet caktimi i një date të dytë për takimin Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë pas anulimit të 27 qershorit, Andoni me interes e sheh edhe Samitin e 17 korrikut në Paris.

Andoni: Nga ky takim do të mësojmë shumë qoftë nga bërja apo zhvbërja e tij. Kemi parë lëvizjet e fundit të Macron me Putin, e dimë mirë që Rusia dhe Kina janë dyshja e Këshillit të Sigurimit që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

EMISIONET