E ardhmja e Agim Ademit në krye të Federatës Kosovare të Futbollit është vendosur në diskutim në ditët e fundit.

Shumë personalitete të futbollit kosovar kanë vënë në pikëpytjet vlefshmërinë e zgjedhjeve së Ademit në Asamble.

Por, për të hequr çdo hije dyshimi, FFK ka publikuar dokumentin që tregon se Ademi është i ligjshëm në pozicionin që mban.

Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e saj, FFK zbardh procesverbalin, ku vihet re se kreu i saj ka një mandat katërvjeçar si president.

"Me qëllim të evitimit të të gjitha dezinformatave dhe për të informuar drejt dhe bazuar në ligj, FFK lëshon të bashkangjitur:

Procesverbalin nga mbledhja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, ku konfirmohet mandati katërvjeçar i presidentit Agim Ademi;

Interpretimin ligjor të Ministrisë së Administratës Publike (organ i vetëm për të interpretuar statusin e OJQ-ve); 

Shkresën zyrtare nga UEFA, me të cilën konfirmohet se z. Ademi është i zgjedhur në mënyrë të ligjshme, duke i respektuar të gjitha procedurat demokratike për mandatin 4-vjeçar në krye të FFK-së.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për të mos lejuar më konfuzitet artificial e konsideron këtë çështje të mbyllur.

Zgjedhjet për anëtarë të KE të FFK-së do të mbahen fillimisht nëpër LRF dhe pastaj duke respektuar të gjitha kushtet për thirrje, do të mbahet Kuvendi për anëtarë të KE-së në harmoni me statutin e FFK-së," thuhet në vendimin e FFK.





/Ora News.tv/