Tirane- Paketa fiskale për bujqësinë është thjesht një show mediatik dhe nuk i vjen në ndihmë fermerit . Ish/zëvendës ministri i Bujqësisë Ndoc Fasllia deklaron se kompensimi i TVSH-së për fermerët është absurd dhe nuk funksionon. “Është një incentivë e cila nuk funksionon, pasi është e pakontrollueshme. Si mund të kontrollosh që në atë çmim që bën blerjen ka dhe tvsh” thotë ai. Por zv.ministri Alban Zusi shpjegon se kjo nismë ka si synim nxitjen e tregtarëve për blerjen e prodhimeve vendase. "Rrjetet e supermarketeve apo industritë preferonin më tepër të merrnin mallrat e importuara sesa të merrnin mallra shqiptare pasi u njihej TVSH dhe u shkarkohej , ose këto të fundit ishin të destinuara të shiteshin në mënyrë informale. Ne favorizojmë blerjen e produkteve shqiptare" u shpreh Zusi. Një tjetër pikë ku qëndrimet janë komplet të ndryshme është edhe heqja e tarifës së importit për grurin dhe mishin .Ish numri dy i Bujqësisë argumenton se kjo dotë dekurajojë prodhimin vendas dhe do të nxisë mallrat e importit. "Kjo dekurajon prodhimin vendas dhe e rrezikon ndjeshëm, pasi blerja e produkteve të jashtme është me çmime nën koston e prodhimit në Shqipëri. Pra kjo është të nxisësh importin dhe çon në krijimin e monopoleve" Ndërsa në lidhje me këtë çështje zv.ministri Alban Zusi shprehet se heqja e tarifës së importit të grurit synon zhvillimin e industrisë së miellit në Shqipëri duke qenë se ne nuk plotësojmë nevojat me grur. "Heqja e taksës për grurin, mbështet industrinë e përpunimit të miellit e cila prej dy vitesh është në vështirësi. Shkon në të njëjtën linjë paralele me të gjithë heqjen e taksave për lëndët e para. Ne nxisim biznesmenët nga tregtia tek prodhimi brenda vendit" Pavarësisht argumentave krejt të kundërta tashmë mbetet për të parë aplikimin e këtij efekti për të vërtetuar impaktin dhe ndihmën që do ti japë fermerëve dhe sektorit të bujqësisë.

/Ora News.tv/