Vendet të ndryshme të botës janë në kërkim të sa më shumë pajisjeve si respiratorët në përpjekjen për të mbajtur gjallë qytetarët e tyre të prekur rëndë nga koronavirusi i ri.

Pandemia e koronavirusit nëpër botë ka rritur kërkesën e vendeve për pajisje si respiratorët.

Zyrtarët druhen se sasia e tyre mund të mos mjaftojë për të përballuar fluksin e të sëmurëve.

Çdo njësi respiratore kushton deri nga 18 në 50 mijë dollarë dhe mban në jetë me oksigjen personat me Covid-19 që nuk marrin frymë në mënyrë të pavarur për shkak të mushkërive të infektuara.

Për prodhuesin kryesor të këtyre pajisjeve në botë, disa vende paraqesin veçanërisht mungesa, mes tyre Britania e Madhe, ku sëmundja deri tani ka infektuar mbi 2,600 dhe u ka marrë jetën 70 vetave të tjerë.

Vendi numëron rreth 5 mijë respiratorë në total.

"Mendoj se Anglia ka për të pasur probleme të mëdha, sepse nuk janë të pajisur me respiratorë dhe stacione të reanimacionit. Vendi ka investuar shumë pak dhe mendoj se kjo u kushtojë," shprehet drejtuesi i kompanisë zvicerane, Hamilton.

Disa vende europiane kanë vendosur të ndalojnë eksportin e respiratorëve, mes tyre Italia, kur numri i të infektuarve ka arritur mbi 35 mijë.

Statistikat tregojnë se në vend vdesin 50 për qind e pacientëve që shtrohen në qendrat e reanimacionit, ndërsa përqindja e fatalitetit zbret në 12 kur ata ndihmohen me respiratorë.

Qeveria italiane ka dërguar stafin ushtarak në një nga firmat lokale për ta dyfishuar prodhimin.

Gjermania po ashtu njoftoi javën e kaluar se ka porositur nga një firmë vendëse rreth 10 mijë respiratorë të rinj për të përballuar situatën, sasi kjo sa i gjithë prodhimi vjetor i kompanisë dhe që i shtohet 25 mijë respiratorëve në dispozicion.

Edhe Shtetet e Bashkuara po përgatiten të rritin numrin e pajisjeve në gjendje pasi është parashikuar që nëse Covid-19 përhapet shpejt, 960 mijë pacientë do kenë nevojë për respiratorë kur kapaciteti aktual është për rreth 200 mijë.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se prodhuesi i automobilëve, General Motors, i ka ofruar hapjen e një uzine posaçërisht për pajisjet spitalore, dhe për arsye patriotike dhe shoqërore mund ta bëjë punën vullnetarisht, njësoj siç veproi me furnizimet e vendit në Luftën e Dytë Botërore.

Një nismë e tillë solidare po vihet në jetë edhe në Britani, ku kompani ajrore dhe automobilistike po punojnë për të ndërtuar dhe prodhuar prototipe respiratorësh brenda muajit.

/Ora News.tv/