Në kohën kur kryeministri Edi Rama luhatej mes Po-së dhe Jo-së për të pranuar armët kimike, vendi ynë ishte në kërkim të një zgjidhjeve për të njëjtin hall, i vetmi ndryshim ishte se lëndët e rrezikshme i kishim ndërkohë në gjirin tonë. Fjala është për lëndët kimike të asgjesura në Qafë-Mollë që kërkojnë një vend jashtë Sqhipërisë për tu asgjesuar një herë e mirë.

Ky fakt ka dalë në dritë gjatë ceremonisë së përmbylljes së operacionit në bazën që u përfol se mund të priste armët e Sirisë me ndihmën  e OSBE-së, operacion që ende nuk ka përfunduar, pasi kërkon edhe 250 mijë euro për ti nxjerrë jashtë hartës shqiptare për shkatërrim përfundimtar të mbetjeve.

Në ceremoninë përmbyllëse ka marrë pjesë edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Florian Rauning dhe ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli.

Në fjalën e tij, ambasadori Rauning theksoi se OSBE është duke kërkuar një fond shtesë prej 250 mijë eurosh për të transportuar kimikatet e paketuara në mënyrë të sigurt për t’u shkatërruar në impiantet e asgjesimit të kimikateve jashtë vendit.

“Ne duhet ende të gjejmë një zgjidhje për shkatërrimin e këtyre kimikateve. Aktualisht, OSBE-ja po kërkon një fond shtesë prej 250 mijë eurosh për t’i transportuar kimikatet tashmë të paketuara në mënyrë të sigurt për t’u shkatërruar në impiante të asgjësimit të kimikateve jashtë Shqipërisë. Këtë javë, disa ekspertë nga Vjena do të vizitojnë Shqipërinë për të na ndihmuar që të përgatisim fazën e dytë të projektit. Me mbështetjen e OSBE-së, Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës vitet e fundit sa i përket çmilitarizimit. Prezenca ka asistuar Shqipërinë që nga viti 2008 në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet e rrezikshme toksike. Prezenca ka ndihmuar deri tani në asgjësimin e një sasie prej 60 tonësh përbërësi të karburantit toksik të raketave, njohur si mélange, 120 ton dikloretan, si dhe ka siguruar pajisje për shkatërrimin e municioneve të tepërta konvencionale” tha ambasadori.

Ai falënderoi pjesëmarrësit në këtë projekt për punën e shkëlqyer të bërë, duke shtuar se ka ende shumë punë për t’u bërë me shkatërrimin e lëndëve të tilla në vend.

Për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shkatërrimi i lëndëve kimike mbetet një sfidë e hapur për ushtrinë ,pasi në hartën e Shqipërisë janë 31 pika të nxehta ku ka mbetje mjaft të rrezikshme kimike.

/Ora News.tv/