Përfundon me sukses “Jorgjia Truja”, Festivali "peshkon" talentet e reja

Përfundon me sukses “Jorgjia Truja”, Festivali

Ka përfunduar me sukses edicioni i pestë i Festivalit Mbarëkombëtar i zërave të rinj “Jorgjia Truja”, për nxënësit amatorë dhe profesionistë, me pjesmarrjen e nxënësve të shkollave të muzikës dhe studentëve nga Tirana, Berati, Vlora, Shkodra, Fieri dhe Prishtina. 

Drejtoresha Artistike e Festivalit, Klodi Zheji, tregoi risitë e këtij edicioni, I kthyer tashmë në një traditë të përvitshme.

Klodi Zheji: Këtë vit kemi përfshirë edhe gjithë të rinjtë amatorë, të cilët kanë ardhur dhe kanë konkuruar dhe me vete kanë sjellë atë ëndrrën.

Juria e këtij festivali përbëhej nga soprano dhe pedagoget e mirënjohura të Universitetit të Arteve, Suzana Frashëri, Shqipe Zani, sopranoja e karrierës ndërkombëtare  Anna Pirozzi nga Italia, ndërsa kryetari i saj ishte kompozitori Vasil Tole. Ky i fundit u shpreh mjaft optimist për prurjet dhe talentet e reja.

Vasil Tole: Detyra jonë si juri është të evidentojmë më të mirët dhe jemi në vështirësi se zëra të bukur ka shumë.

Në fund u ndanë edhe 6 çmime me emrat e personalitete të njohura të artit vokal. Çmimin e kompozitorit dhe dirigjentit “Simon Gjoni”, e fitoi nxënësja Valeria Cara, çmimin e sopranos “Irena Gjergo”, nxënësja Roberta Hima, çmimin e sopranos “Dhimitra Keta”, e fitoi nxënësja Erigena Begolli, çmimin e sopranos “Gjinovefa Heba” , nxënësi Diego Zelka, çmimin e bass baritonit “Hysen “Pelinku”, nxënësi Besard Lujka dhe çmimin e madh “Zëri i Artë”, e fitoi studenti i Arteve, Artur Vera.

EMISIONET