Mijëra protestues i thanë jo “perdes së hekurt” që qeveria ruse po përpiqet të imponojë në internet. Kundër ndryshimeve të fundit ligjore pati protesta masive në Moskë dhe në disa qytete të tjera. Rusia është përpjekur të kufizojë lirinë e internetit vitet e fundit, duke bllokuar qasjen e përdoruesve në disa uebsajte dhe shërbime, siç është dhe ai Telegram.

Mijëra veta dolën të protestojnë rrugëve të Moskës dhe të Voronezh-it, Khabarovsk-ut e Shën Pjetërburgut, për të kundërshtuar kufizimet e internetit. Këto janë protestat më të mëdha që janë parë vitet e fundit në kryeqytetin rus.

Muajin e kaluar ligjvënësit miratuan disa ndryshime ligjore për forcimin e kontrollit të internetit, me qëllim për të parandaluar forcat e huaja të ndërhyjnë në çështjet ruse. Por kritikët i lidhën këto kufizime me vendosjen e “perdes së hekurt” në internet dhe një mjet për t’iu mbullur gojën disidentëve.

Njerëzit u mblodhën në rrugën Prospekt Sakharova të Moskës, ku mbajtën fjalime dhe hodhën slogane të tilla si "duart larg nga interneti" dhe "jo izolimit".

"Po marr pjesë në këtë protestë për t’i treguar qeverisë se nuk dua të heq dorë nga interneti, anonimati apo nga e drejta për të shprehur opinion tim," i tha agjencisë Reuters studenti Ruslan.

Organizata joqeveritare “Numëruesit e Bardhë” tha se në protestë morën pjesë 15,300 veta, por policia e uli numrin e pjesëmarrësve në 6,500. Sipas mbështetësve të opozitës 15 veta u ndaluan nga policia. Atyre iu bllokuan edhe banderolat.

Rusia është përpjekur të kufizojë lirinë e internetit vitet e fundit, duke bllokuar qasjen e përdoruesve në disa uebsajte dhe shërbime, siç është dhe ai Telegram.

/Ora News.tv/