Partia Demokratike e cilësoi dhënien me koncesion të Kepit të Rodonit si një vendim korruptiv dhe klientelist të qeverisë Rama.

Sekretari për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediat nga selia blu tha se kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë BE-së.

Teliti: Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës. Kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian.

Sipas PD-së, për këtë koncesion nuk pati garë reale duke eleminuar konkurencën dhe shndërruar vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministres Belinda Balluku në vendime klienteliste.

PD zotohet se do tu kthejë njerëzve qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.

/Ora News.tv/