PD: Prokuroria zvarrit çështjet, po mbron 3 kriminelët e Ramës në bashki

PD: Prokuroria zvarrit çështjet, po mbron 3 kriminelët e

Pas 3 kërkesash drejtuar prokurorisë për hetimin e 3 kryebashkiakëve socialist Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku e Mark Babani, Partia Demokratike i ka nisur një tjetër kërkesë organit të hetimit.

Në kërkesën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi që i vihet për dijeni edhe ambasadave kryesore në Tiranë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, PD akuzon prokurorinë se po mbron 3 kriminelët e Ramës në Bashki.

“Edhe pse kanë kaluar rreth 2 muaj nga paraqitja e kërkesave, ende Prokuroria e Përgjithshme, që është përgjegjëse për zbatimin e ligjit, nuk ka përmbyllur asnjë procedurë verifikimi.  Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekriminalizimit,”-tha PD në një deklaratë.

Partia Demokratike vë në dukje se duke nisur që nga 1 gushti, ka paraqitur prova autentike se kandidatët e Edi Ramës në bashkitë Shkodër, Valdrin Pjetri, Vorë, Agim Kajmaku dhe më bashkinë Vau i Dejës, Mark Babani kanë të kaluar kriminale dhe si të tillë duhet të largohen dhe të ndiqen penalisht për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

“Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian. Për pasojë, prokurorët në detyrë, pavarësisht se drejtohen nga një zyrtar i paligjshëm, paintegritet dhe i papërgjegjshëm si Arta Marku, kanë detyrimin që të mos i nënshtrohen porosive dhe presionit politike të Edi Ramës, por të përmbushin me përgjegjshmëri detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore,”-shtoi PD.

Bazuar në akuzat e ngritura PD i kërkon Prokurorisë informacion mbi të gjitha procedurat e ndjekura nga organi i prokurorisë, shoqëruar kjo me dokumentacionin e plotë që ndodhet në secilën dosje, i hartuar apo administruar nga organi i prokurorisë, që nga momenti i marrjes së kërkesave për verifikim e deri më sot.

EMISIONET