PD nuk komenton shkarkimin e Muçit, Bardhi: Rama po tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese

PD nuk komenton shkarkimin e Muçit, Bardhi: Rama po tenton të

Partia Demokratike rikonfirmojmë qëndrimin e saj se Edi Rama po tenton të kapë e kontrollojë politikisht Gjykatën Kushtetuese. Në një reagim, sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Gazment Bardhi thotë se kjo cënon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi.

"Kjo është në kundërshtim me qëllimin madhor që kishte dhe duhet të ketë Reforma në Drejtësi, që të shkëpuste drejtësinë nga politika. Kjo bie ndesh me kërkesën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për drejtësi të pavarur. Ne mbështesim plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetutes të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetutese. Është provuar qartë dhe pa asnjë mëdyshje se Edi Rama kërkonte të vidhte një anëtar që i takonte ta emëronte Presidenti. Edi Rama shkeli Kushtetutën dhe ligjin, jo vetëm duke emëruar njëkohësisht dy anëtarë në Parlament, por mbi të gjitha, duke mos zbatuar kushtin kushtetues dhe ligjor që për çdo vend vakant duhet të kishte jo më pak se 3 kandidatë të vlefshëm. Nëse flasim për vendime në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, ato janë vendimet e emërimeve që ka bërë Parlamenti në kundërshtim të hapur me nenin 125 të Kushtetutës dhe pikën 5 të nenit 7/c të ligjit të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në reagimin e PD.

Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese.

"Duke patur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të cfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese. Për këtë arsye, vijimi i këtij debati vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit.  

Sa më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese, sa më gjatë me gjyqtarë nën presion, aq më shumë përfiton Rama me vendimet e paligjshme, aq më shumë mbetemi peng në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian". 

Lidhur me çështjen e Besnik Muçi pas vendimit të KPA-së, PD thotë se  nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë ose me të padrejtë.

"Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato. Në këto raste, ne nxisim këdo prokuror dhe gjyqtar ta kërkojë të drejtën e tij në institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ne kemi denoncuar dhe do të denoncojmë me vendosmëri dhe forcë çdo rast, kur vetingu mban në sistem njerëz të korruptuar dhe të lidhur me krimin, siç është rasti i gjyqtarit Ardian Dvorani. Ai e kaloi vetingun me ndërhyrje politike, edhe pse kishte miliona lekë pasuri të pajustifikuar", mbyll njoftimin sekretari i PD, Gazment Bardhi.

EMISIONET