Këto çati çimento asbesti, të trashëguara nga komunizmi, gjenden shpesh në Shqipëri, por pak kush është i informuar për pasojat e rënda që shkaktojnë në shëndet.

Shkarkimi i asbestit në ajër dhe ekspozimi ndaj tij mund të jetë vdekjeprurës pasi mund të çojë në shfaqjen e kancerit të mushkërive.

Sipas të dhënave të OBSH rezulton se ai ishte shkaku i 11 vdekjeve vitin e kaluar në Shqipëri, ndërsa po në 2018-ën janë konstatuar 21 raste të reja me kancer nga ky mineral.

Piersante Sestini, Drejtor i Klinikës së Pneumologjisë në Universitetin e Sienës në Itali e cilëson kritike situatën në vendin tonë.

Sestini: Për situatën në Shqipëri është pak të thuhet alarmante pasi ky mineral është përdorur masivisht në vitet 60 dhe njerëzit kanë qenë të ekspozuar. Fibrat e holla të asbestit janë të rrezikshme, përmes frymëmarrjes mund të hyjnë në mushkëri dhe pas disa vitesh stimulojnë sëmundjen e kancerit. Derisa qëndron aty asbesti nuk është i dëmshëm por nëse dëmtohet, thyhet me mjete të forta përbën rrezik.

Profesor, Romeo Hanxhari, i cili ka kryer një studim 7 vite më parë lidhur me këtë çështje thotë së në Shqipëri problem përbën kuadri i mangët ligjor.

Hanxhari: Sipas këtij studimi, trashëgimia e asbestit në Shqipëri ishte e lartë dhe me rrezikshmëri të madhe. Identifikuam tekste shkollore që e kishin të përfshirë asbestin si material pune në laboratorët e Kimisë. Fati ynë është që BE e ka ndaluar kategorikisht që prej 2005. Por futet si produkt në disa vende si Rusia, Ukraina, India, Kina dhe prej andej mund të futet në Shqipër.

Asbesti është përdorur gjerësisht në ndërtim sidomos gjatë viteve të komunizmit.

Fibrat e tij mund të “flenë” në trupin e njeriut për 40 vite dhe pas kësaj periudhe ato mund të aktivizohen duke shkaktuar pasoja të rënda.

Kujdes duhet treguar për asgjësimin. Procesi duhet të bëhet në mënyrë profesionale pasi në të kundërt fibrat mund të ndotin ambientin dhe kësisoj kanosin shëndetin e qytetarëve.

/Ora News.tv/