"Parlamenti po na mban peng"

"Parlamenti po na mban peng"

Kryeministri britanik Boris Xhonson druhet se opozita do shpërdorojë tre muajt e ardhshëm me beteja politike dhe sërish nuk ka për ta votuar marrëveshjen Brexit.

Me një editorial në gazetat e fundjavës, shefi i qeverisë hodhi sërish idenë e zgjedhjeve të parakohshme meqë ligjvënësit aktualë nuk po i japin zgjidhje problemit.

"Në vend ka një opinion të përgjithshëm se parlamenti e ka përfunduar ciklin e vet. Unë nuk mund të pranoj që të mbetemi akoma peng i tij. Miliona biznese dhe qytetarë nuk po munden të planifikojnë të ardhmen, kjo paralizë po na shkakton dëme reale dhe neve na duhet të ecë përpara në 2020-ën," shkroi Xhonson.

Thirrjet e tij vijnë përpara votimit kyç të së hënës, kur deputetët britanikë do të pyeten nëse janë në favor të zgjedhjeve të parakohshme më 12 dhjetor.

Bashkimi Europian ka deklaruar se nga rezultati i votimit do të varet edhe kohëzgjatja e re e procesit Brexit.

Qeverisë konservatore i nevojitet mbështetja e dy të tretës së parlamentit për të thirrur zgjedhje të reja.

Opozita laburiste pritet të votojë kundër, ndërsa liberaldemokratët dhe partia skoceze thonë se do e përkrahnin procesin e ri elektoral me kushtin që Brexit-i të shtyhet të paktën me tre muaj deri në janar 2020.

Nëse kjo ndodh, dy partitë opozitare janë të gatshme të propozojnë një nismë ligjore që zgjedhjet e reja të thirren me shumicë të thjeshtë votash më 9 dhjetor.

Sondazhet paraprake sjellin konservatorët përsëri në pushtet me 40 për qind të votave, laburistët 16 pikë më poshtë dhe liberaldemokratët me 15 për qind.

EMISIONET