Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar arrestimin e  dy zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë nëse hyjnë pa leje në territorin e Republikës së Kosovës.

I është ndaluar hyrja në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviç. Shkak sipas Jetlir Zyberaj, shefit të kabinetit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, është “deklaratat që nxisin tensionim të situatës” informon REL.

Ndërkohë ministri Pacolli shkruan në facebook

“Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet”.

Policia e Kosovës me anë të një komunikate për shtyp ka konfirmuar se ka angazhuar njësitet e saj policore për ndalim të vizitës në Kosovë, të zyrtarëve serbë.

Policia ka ndërmarrë në veri aksion për të ndaluar hyrjen e dy ministrave serbë.

Ndërkohë, autoritetet serbe kishin njoftuar se edhe ministrit të Kulturës në Qeverinë e Serbisë, Vlladan Vukosavleviç i ishte ndaluar hyrja në Kosovë përmes pikës kufitare ne Jarinë.

Ministri serb i Kulturës po planifikonte që të martën të vizitonte disa manastire nëpër Kosovë.



/Ora News.tv/