Sot është data 20 shtator 2019. Gazetari i Ora News ishte pranë kantierit të punës të kompanisë Kuteli që po ndërton objektin që shikoni në video.

Edhe pse ka një vendim të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, pezullim të menjëhershëm pa afat të punimeve në kantier, puna aty vijon pa u ndalur asnjë sekondë.

Ora News ka siguruar dokumentin që fakton se në këtë objekt të kompanisë Kuteli në mënyrë emergjente duhet të ndalohej puna, por pamjet tregojnë të kundërtën.

Pre ditësh Ora News ka filmuar në terren dhe jo vetëm që puna vijon, por as masat e sigurisë nuk janë zbatuar.
Edhe pse në harkun kohor 16 gusht-7 shtator kemi dy të vdekur në kantieret e ndërtimit, kompanitë ndërtuese sfidojnë hapur Inspektoriatin Shtetëror të Punës.

Inspektimet në terren, lënia e detyrave konkreten dhe vendimet për pezullimin e menjëhershëm të punës duket se nuk merren në konsideratë nga këto subjekte që të zbatojnë ligjin. Dhe një ndër to duket se është kompania Kuteli.

E njëjta situatë ndodh edhe në sheshin e ndërtimit të kompanisë Ardeco në zonën e tregut '5 Maji". Inspektoriati mori vendimin për pezullimin pa afat të punimeve, por puna vijon.

Kamera e Ora News ka fiksuar edhe këtë të premte pamjet ku tregohet qartë që edhe aty punohet.

Ora News do të vijojë me investigimin e çdo kantieri ndërtimi në kryeqytet, i cili nuk respekton rregullat më minimale të sigurisë duke u kthyer në rrëzik vdekje për punëtorët e ndërtimit, por edhe për kalimtarët e rastit.

/Ora News.tv/