Pak optimizëm për paqe në Afganistan

Pak optimizëm për paqe në Afganistan

Marrëveshja për paqe e arritur në Afganistan mes talibanëve dhe SHBA-së mendohet nga analistët se do të jetë e vështirë të zbatohet për shkak të fraksioneve të ndryshme politike të Talibanit.

Në Afganistan janë të ulëta premisat për paqe pasi grupet talibane vazhdojnë të ndajnë pikëvështrime të ndryshme politike.

Marrëveshja paqësore u firmos më 29 shkurt në kryeqytetin e Katarit mes Shteteve të Bashkuara dhe fundamentalistëve të Talibanit, për t'i dhënë fund luftës 18-vjeçare, më e gjata në historinë amerikane dhe për t'i hapur rrugë dialogut ndërafgan.

Por lidershipi taliban urdhëroi rifillimin e sulmeve mbi forcat qeveritare të sigurisë, kur presidenti i vendit Muhamed Ashraf Gani refuzoi lirimin e 5 mijë të burgosurve rebelë brenda 10 ditëve nëse nuk ka garanci që nuk do të angazhohen në akte dhune.

"Ka disa grupe talibanësh, dhe ata që janë në kryeqytetin Doha në Katar ndoshta nuk i përfaqësojnë të tërë," shprehet analisti Naim Ajubzada.

Talibani gjithashtu ka refuzuar pjesëmarrjen për dialogun ndërafgan të planifikuar më 10 mars.

Sipas ekspertit të politikës afgane, Ajubzada, situata aktuale ka ekspozuar brishtësinë e paktit për paqe.

Edhe Uashingtoni ka kërkuar mbajtjen e zotimeve.

"Kjo është një një nga arsyet pse njëri grup takohet për negociata ndërsa grupet e tjera vijojnë operacionet ushtarake. Mendoj se talibanët janë të çorganizuar dhe jounikë për çështjen e paqes," thekson analisti afgan.

Ushtria islamike e Talibanit në vitin 1996 mori në kontroll shumicën e Afganistanit pas mposhtjes së fraksioneve muxhahedine, por u rrëzuan në vitin 2001 nga forcat amerikane pas sulmeve 11 shtatorit.

EMISIONET