Pajisjet mjekësore do të kontrollohen që në doganë

Pajisjet mjekësore do të kontrollohen që në doganë

Tashmë çdo pajisje mjekësore do regjistrohet pa hyrë në treg.Ministrja e Shëndetësisë prezantoi ndryshimet në ligj që parashikojnë kontroll të paisjeve mjekësore që në doganë.Ndër të tjera Manastirliu premtoi më shumë rimbursime për pajisjet mjekësore.

Forcohet kontrolli për pajisjet mjekësore që hyjnë në Shqipëri.Ministrja e Shëndetësisë ka prezantuar draftin që parashikon regjistrimi të pajisjeve mjekësore që në doganë, duke mos i lejuar që të futen në treg pa u regjistruar.

Manastirliu: Ndryshe nga më parë kur pajisjet mjekësore regjistronin pasi kishin hyrë në treg, me ligjin e ri që ne propozojmë forcohen masat në kontrollin e tregut të pajisjeve mjekësore, duke kryer procesin e regjistrimit që në doganë. Do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme e deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë.Për herë të parë përcaktohet një proces licensimi për pajisjet mjekësore, që nuk ekzistonte më parë. Gjithashti do të vendosen rregulla të mirëpërcaktuara edhe për blerjen e pajisjeve online, i monitoruar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Ministrja, Ogerta Manastirliu, theksoi se për herë të parë në ligj përcaktohet edhe  rimbursimi i pajisjeve mjekësore.

Manastirliu: Për herë të parë do të ketë një listë të rimbursueshme të pajisjeve mjekësore që rimbusohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim garantimin e aksesit në ofrimin e kujdesit shëndetësor të të gjithë qytetarëve. Aktualisht ne ofrojmë rimbursimin e fishave të diabetit falas deri në 25 vjeç dhe me këtë projektligj i hapet rrugë rimbursimit të pajisjeve mjekësore, përmes një liste të mirëpërcaktuar.

Duke nënvizuar se në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupime pajisjesh mjekësore, Ministrja theksoi para Komisionit se do të merren masa për çdo subjekt që shkel ligjin.

EMISIONET