OSBE kritikon qeverinë për ligjin e medias online: “Shpifja” të trajtohet në gjykatë, jo nga AMA

OSBE kritikon qeverinë për ligjin e medias online:

OSBE-ja kritikoi qeverinë shqiptare në lidhje me disa ndryshime të fundit në ligjin për mediat audiovizuale dhe komunikimet elektronike.

Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesi i zyrës për lirinë e medies, Harlem Desir, thekson se dispozitat e reja, veçanërisht ato për mediet online dhe kompetencat e Autoritetit të Medieve Audiovizive, mund të kufizojnë lirinë e shprehjes dhe bien ndesh me standartet ndërkombëtare.

Në faqen zyrtare të OSBE raportohet se Desir i dërgoi kryeministrit Edi Rama, një rishikim ligjor mbi ndryshimet në Ligjin për Media Audiovizuale në Shqipëri, Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe dispozitat tjera përkatëse lidhur me rregullimin e llojeve të caktuara të përmbajtjeve të ofruara përmes internetit.

"Neni 132 nuk parashikon masa të mjaftueshme që do të mbronin botuesit elektronikë nga pengesat e mundshme apo diskriminuese që AMA mund të aplikojë përkohësisht në dëm të së drejtës për liri të shprehjes, sikurse edhe akses në mekanizma efektivë të apelimit apo rivlerësimit gjyqësor. "Shpresoj që rekomandimet tona të merren parasysh dhe modifikimet të futen gjatë procesit parlamentar për të siguruar pajtueshmëri më të mirë të legjislacionin të ardhshëm me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias,"-tha Desir.

Kritika drejtohen edhe për dispozitën ku propozohet që AMA të detyrojë agjencitë e lajmeve online të kërkojnë ndjesë për materialet e pretenduara si ofenduese apo shpifëse, me anë të një mesazhi automatik.

Sipas OSBE, AMA duhet të respektojë standardet e proporcionalitetit dhe të mos aplikojë penalizime në vlera të larta monetare edhe kur shkeljet nuk janë doemos të rënda.

"AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave, edhe kur motivi është respektimi i privatësisë dhe i dinjitetit të qytetarëve."

Zyra e OSBE-së nuk lë pa përmendur se varianti i fundit i projektligjit është përmirësuar nga vitet e kaluara, por fton qeverinë të jetë më gjithëpërfshirëse me aktorët vendës në implementimin e plotë të rekomandimeve..

 "Vërej që ka pasur përmirësime të rëndësishme në krahasim me draftet e përgatitura më herët gjatë vitit. Versioni i fundit i projektligjit për mediat audiovizuale përmban dispozita të reja që përcaktojnë më mirë dhe më saktësisht objektin dhe fushëveprimin e ligjit dhe përmend nevojën që AMA të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale kur të miratojë vendimet e saj. Është pozitive që dispozitat problematike në lidhje me regjistrimin e emrave të domenit dhe bllokimin e përmbajtjes në internet janë hequr dhe se propozimi përfshin një përshtatje specifike të së drejtës për t’u përgjigjur në mjedisin e ri të botimeve elektronike."

OSBE propozon, në veçanti, të modifikojë nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike të publikojnë një kërkesë faljeje, të heqin përmbajtjen ose të futin një njoftim pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në nenin e ri 33/1. 

“AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave,”-tha Desir.

Dhjetë organizata shqiptare të medias, përfaqësues të gazetarëve apo organizata të të drejtave të njeriut, publikuan një deklaratë kritike ndaj nismës së kryeministrit Edi Rama duke i quajtur projektligjet një mjet censure dhe duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre. drafti në fjalë ndodhet në kuvend për shqyrtim parlamentar.

EMISIONET