Opozita e re kushtëzon votën për shkarkimin e Metës, reagon Balla

Opozita e re kushtëzon votën për shkarkimin e Metës, reagon

Nisma për shkarkimin e  Presidentit ka hapur debate në Kuvend. Në emër të opozitës së re, deputeti Myslim Murrizi tha se opozita parlamentare ka një kusht jo vetëm për shkarkimin e Metës, por për të gjitha reformat dhe ky kush është miratimi i reformës zgjedhore.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se mazhoranca nuk pranon asnjë kusht për reformën në drejtësi, ajo vetëm zbatohet.

Murrizi: Halli që keni me presidentin është hall i përbashkët i 10-15 individëve që shumë shpejt do të jenë ortakë dhe banorë të ndonjë burgu të famshëm ose të Reçit, ose Peqinit. Ose si Pablo Eskobari, me lekët e vjedhura të ndërtojnë një burg të mirë për vete. Të jeni të bindur se do të ketë dhe një grup çunash nga kjo sallë.  Kështu që për çdo konsensus që do të kërkoni nga ky krah edhe për ligjet e reformës në drejtësi, edhe për të shpallur shokun Mehmet armik dhe për t'ja vënë prangat atje te salla e Komitetit Qëndror vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Balla: Partia Socialiste bashkëpunon me këdo, por kushte nuk pranon. Për sa i përket Reformës në Drejtësi, ju këtu apo edhe ata në rrugë, duhet ta dini se ajo nuk negociohet. Reforma në Drejtësi veçse zbatohet dhe këtu mbaron i gjithë ky diskutim. Patjetër që ky Kuvend sot duhet ta rrëzojë këtë dekret të Presidentit aktual të Republikës, i cili nuk heziton dhe veçse u kujton shqiptarëve se është pjesë e një grupi, i cili bën gjithçka për të penguar Reformën në Drejtësi.

Edhe kjo përpjekje për të penguar hyrjen në fuqi të një ligji shumë të rëndësishëm, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, i cili u miratua këtu në këtë sallë do të dështojë.

Ne sot duhet t’i japim përsëri një përgjigje Presidentit të Republikës për ti treguar se Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti më i lartë në këtë vend dhe kushdo që guxon të pengojë sadopak Reformën në Drejtësi do të marrë një përgjigje, e cila e ka vendosur Shqipërinë në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.



EMISIONET