Mjekuan "vrasësin" e Kurbinit, në qeli dy mjekët që dyshohet se morën 10 mijë euro për operimin
Gjykata e Kurbinit vendosi të mbajë të mbyllur në qeli mjekët që akuzohen se mjekuan në mënyrë të paligjshme Eduart Lamajn, autorin e dyshuar të vrasjes së Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës më 30 maj.
Besim Lama dhe Viktor Marku u paraqitën në Gjykatë me pranga në duart e maska në fytyrë, ndërsa heshtën para kamerave.
Ata dyshohet se morën një shumë prej 10 mijë eurosh për të operuar Lamajn në një klinikë private pa e denoncuar.
Ndaj policia i vuri në pranga të mërkurën për akuzat “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Por avokatët mbrojtës të mjekut ortoped nga Lezha dhe Kirurgut të Spitait të Traumës pretendojnë se klientët e tyre nuk kishin dijeni se ai ishte vrasës i dyshuar.
Sipas tyre Besim Lama referoi rastin, nuk takoi Eduart Lamajn, ndërsa Viktor Marku shpëtoi jetë.
"I ka ardhur si pacient përmes telefonit, jo i plagosur. E ka referuar te mjeku Viktor Marku."
"Ka ushtruar detyrën e vet funksionale dhe ka shpëtuar një jetë njerëzore pa pasur dijeni se kush ishte."
Të premten ndërkohë pritet të zhvillohet masa e sigurisë për Eduart Lamajn, për të cilin prokuroria ka kërkuar arrest me burg.
Për ekzekutimin e bizmeneve në një hotel të Kurbinit policia ka shpallur në kërkim edhe Ilir Xhepaj (Likaj), Elson Aliaj apo (Oltion Vlashi) dhe Klaudio Perkola.
