Rritja ekonomike në Shqipëri nuk do të shkojë më shumë se 3 për qind. Të paktën ky është parashikimi i bërë prej Kombeve të Bashkuara edhe pse qeveria shqiptare ka parashikuar që shtesa të shkojë në 4 për qind. Ulja e investimeve  të huaja dhe situata gjeopolitike duket se janë faktorët kryesorë.

Kombet e Bashkuara kanë ulur pritshmërinë ekonomike të qeverisë shqiptare për vitin 2020.

Në miratimin e buxhetit, Ministria e Financave deklaroi se shtesa vjetore parashikohet të shkojë në 4 për qind, por në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara nënvizohet se ekonomia në të dy vitet e ardhshme do të ketë shtesë vjetore me 3 për qind.

Ky është viti i dytë kur rritja ulet ndjeshëm nga pritshmëria, pasi dhe në vitin 2019 u parashikua të shkonte në 4.1 për qind nga faktikja që zbriti në 2.6 për qind.

Të dhënat bëhen të njohura nga raporti për "Situatën dhe Perspektivën Ekonomike të Botës" të publikuar të enjten nga Kombet e Bashkuara.

Në dokument thuhet se Shqipëria në vitin 2019 arriti t'i bëjë ballë presioneve inflacioniste duke shfrytëzuar vlerësimin valutor për ta mbajtur vlerën bazë të inflacionit poshtë objektivit zyrtar në 1,5 për qind.

Kjo tendencë pritet të ndryshojë në vitet 2020 dhe 2021, kur do të pësohet një rritje përkatësisht me 0,3 dhe 0,5 për qind në çmimet mesatare të konsumit.

Sa i përket përqindjes së papunësisë trendin vlerësohet të ketë qenë pozitiv, duke prekur vlerën 12 për qind në 2019-ën krahasuar me 17,5 për qind pesë vite më parë.

Për rajonin e Europës Juglindore në tërësi, mes tyre edhe Shqipëria, një sërë faktorësh si ulja e investimeve, ulja e tregtisë me shtetet e BE-së dhe pasiguritë politike kufizuan rritjen ekonomike, por sërish parashikohet që mesatarja e dy viteve të ardhshme të arrijë në 3,4 për qind.

Në rang global, ekonomistët e Kombeve të Bashkuara parashikojnë një shtendosje të raporteve të rënduara gjeopolitike, që do kontribuojnë në rritjen nga 2,3 për qind në 2,5 për qind në 2020-ën.

"Në këtë botë ka kërkesë të pamjaftueshme dhe shumë borxhe. Këto probleme mund t'i adresojmë vetëm nëpërmjet aksionit ndërkombëtar, koordinimit politik, dhe multilateralizmit, që nga këndvështrimi ynë është kaq i rëndësishëm," deklaron Richard Kozul-Wright, drejtor i strategjive të globalizimit dhe zhvillimit në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim.

/Ora News.tv/