OKB dhe BE bëjnë thirrje për rinisjen e bisedimeve të paqes për Sirinë

OKB dhe BE bëjnë thirrje për rinisjen e bisedimeve të paqes

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje që të rinisin bisedimet politike, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit 7-vjeçar sirian, duke thënë se fitimet e fundit territoriale nga Damasku zyrtar dhe aleatët e saj, nuk e kanë sjell më afër paqen.

I dërguar i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura dhe shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini janë takuar sot, me qëllim që të shtojnë përpjekjet për rinisjen e bisedimeve të paqes në Gjenevë, që mbështeten nga OKB-ja.

Në tetë raundet paraprake të bisedimeve është bërë pak progres. Rusia dhe Irani, aleatët kryesorë të presidentit sirian, Bashar al-Assad, vitin e kaluar, së bashku me Turqinë kanë nisur një proces të ndarë negociator, në kryeqytetin kazak, Astana.

“Fitimet ushtarake, fitimet e territoreve dhe përshkallëzimi ushtarak nuk sjellin zgjidhje politike, përkundrazi, nuk kanë sjellë asnjë ndryshim”, ka thënë de Mistura në një konferencë për media.

“Është një punë që tre shtetet që sponsorizojnë bisedimet në Astana duhet të bëjnë, e që është të ndihmojnë që situata të mos përshkallëzohet. Por, së fundmi ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur përshkallëzimi”, ka thënë ai.

Mogherini, ndërkaq ka thënë se procesi në Astana “solli shpresë mbi mundësinë që situata të qetësohej, në kuptimin e aktiviteteve ushtarake”, por, sipas saj, një shpresë e tillë tashmë duket se nuk ekziston më./REL

EMISIONET