Kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çojnë shqiptarët drejt obezitetit. Mjekët dhe dietologët apelojnë për kujdes në ushqyerja pasi obeziteti shoqërohet me shfaqjen e disa sëmundjeve që rrezikojnë jetën.

Obeziteti, e konsideruar si sëmundja e shekullit tashmë po prek edhe shqiptarët. Statistikat e Institutit të Shëndetit Publik dhe Instat për vitin 2018 tregojnë se 45% e femrave dhe 53% e meshkujve të grup moshës 15-49 vjeç ishin mbipeshë ose obezë. Mjekët shkaqet i gjejnë tek kequshqyerja, alkooli dhe jeta sedentare.

Diana Hysi, Mjeke familje: Mbi pesha nuk vjen vetëm nga pjesa e ushqimit, ai ka dy komponentë. Komponenti gjenetik, por mund të varet edhe nga jeta sedentare dhe pija.

Problemet me obezitetin nuk lidhen vetëm me estetiken, dukjen tek të tjerët. Mjekja e familjes Diana Hysi thotë se obeziteti shoqërohet me shfaqen e disa sëmundjeve.

Diana Hysi, Mjeke familje: Risku i parë i obezitetit është mbivendosja e këtyre yndyrnave në pjesën e brendshme të enëve, pastaj bëhet në formën e pllakave kur kalon mbi 50 vjeç që ngushtojnë enët e gjakut.

Por mbipesha mund të evitohet. Dietologia Viktoria Naço shprehet se kujdes duhet treguar me përzgjedhjen e ushqimeve që duhet të konsumojmë.

Viktoria Naço, Dietologe: Të mos shtojmë shpesh konsumin e mishit, dy herë në javë. Të konsumojmë sallata të ndryshme të stinës, ose supa.

Përqindja e femrave mbipeshë nga 39% më 2008 u rrit në 45% më 2018 ndërsa përqindja e meshkujve përgjatë kësaj periudhe mbeti thuajse e pandryshuar.

/Ora News.tv/