Brenda 15 orëve të fundit janë nxjerrë 10 viktima nga rrënojat në ndërtesat e shembura në Durrës dhe Thumanë.

Ndërkohë në lagjen numër 13 tek Mira – Mare është identifikuar para një ore trupi i një 54 vjeçari dhe po punohet për nxjerrjen e tij nga rrënojat.

“Në Thumanë  dhe Durrës prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme  dhe deri në orën 12.40  janë nxjerrë nga rrënojat 10 shtetas të pajetë. Në lagjen nr 13 në Plazh, tek Mira - Mare, ekipet e shpëtimit,  para një ore kanë identifikuar trupin e 54 vjeçarit dhe po punojnë  po nxjerrjen e tij  nga rrënojat,”-raporton policia.

Në Thumanë aktualisht janë ndërprerë kërkimet, pasi nga të dhënat që disponohen nuk ka më persona nën rrënoja.

Ndërkohë në Durrës vijojnë kërkimet në lagjet Nr. 6, 13 dhe 17, te ish-Këneta, për gjetjen e personave që dyshohet se kanë mbetur poshtë rrënojave.

Ndrësa policia njofton se nga lëkundjet e fundit nuk janë konstatuar  probleme  për  jetën e qytetarëve.

Forcat Speciale Renea, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si dhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës kanë vijuar pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit, për nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit.

/Ora News.tv/