Të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm do të jenë 502.6 mld lekë.

Projektligji për buxhetin 2020 tashmë ka përfunduar fazën e konsultimit dhe pritet të kaloj së shpejti në qeveri. Nëse e krahasojmë me një vit më parë të ardhurat rezultojnë të jenë vetëm 3.2% më të larta. Edhe pse rritja ekonomike këtë vit u ul në 2.6 për qind, sërish qeveria premton që në 2020 shtesa të shkojë 4.1%. Për këtë vit nuk parashikon fond për rritje pagash ndërsa shpenzimet shkojnë në 532 mld lekë.

Shtesa në paga sipas tabelave të ministrisë pritet të aplikohen vetëm në vitin 2022. Sa i përket pensioneve shtesa do të jetë me një fond prej 2.5 miliardë që duket se i përket vetëm indeksit. Edhe pse ka kursim në këto dy fusha, për koncesionet e PPP shlyerja e detyrimeve është realizuar në 99.3 për qind . fondet për 19 koncesionet do të vazhdojnë dhe në vitin e ardhshëm ku subjektet do të marrin 14.6 miliardë lekë.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm një ulje e konsiderueshme parashikohet edhe për investimet.

Sipas tabelave shpenzimet për investime parashikohen 83.7 mld lekë ose 4 mld më pak se një vit më parë . Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB. Në projektbuxhetin e 2020, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5.8 miliard lekë ose 11.4% më shumë se sa ato të vitit 2019.

/Ora News.tv/