“Notre Dame de Tiranë” nuk do të shembet

“Notre Dame de Tiranë” nuk do të shembet

Imazhi i Katedrales së shkrumbuar të “Zonjës tonë” në Paris, ishte për këdo një simbol në miniaturë i apokalipsit të një shoqërie, të paaftë në konservimin e vlerave kombëtare. Kjo dramë sa njerëzore po aq edhe kulturore, duket se ka ngacmuar fantazinë e piktorit kontrovers, Avni Delvina.

“Notre Dame de Tiranë” titullohet ekspozita e hapur në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku ky i fundit është subjekt i skanerit të artistit, për të cilin godina historike është po aq e shenjtë sa çdo ikonë e artit në kryeqytetet botërore.

Hapja e ekspozitës mblodhi në hollin e Teatrit figura të rëndësishme të jetës publike dhe politike në vend.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizionin e Delvinës e lidhi me qendresën disa mujore për mosshembjen e Teatrit.

Basha: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ja ka dalë të mbizotërojë këtë projekt monstruoz dhe të korruptuar që është zëvendësimi i Teatrit Kombëtar me lavatriçen e pastrimit të parave dhe kullat e dyshes Rama-Veliaj.

Për ish-kryeministrin Berisha, çelja e kësaj ekspozite është një ngjarje e jashtëzakonshme, pa harruar mesazhin qe fshihet pas saj.

Berisha: Arti është militant sa vetë arma në kuptimin e forcës, mprehtësisë. Cilido që do të shohë këtu forcën, e ftoj të vizitojë këtë ekspozitë.

Për 2 javë rrjesht, holli i Teatrit do jetë një skenë e hapur, ku çdo vizitor është i lirë të interpretojë estetikën e Delvinës, dhe njëherësh të njihet me 18 muajt e qëndresës për mbajtjen në këmbë të tempullit të fjalës.

EMISIONET