Dy nga Peshkopia porositësit e ngarkesës me Toyota ku u gjetën 3.4 milione euro

Dy nga Peshkopia porositësit e ngarkesës me Toyota ku u gjetën

Plot 24 orë nga sekuestrimi i miliona eurove policia e shtetit doli me një njoftim zyrtar, ku njoftoi shumën e sekuestruar si dhe personat e arrestuar.

Bëhet fjalë për sekuestrimin e  3.366.800 euro. Gjithashtu janë sekuestruar 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe 80,000 franga zvicerane.

Policia thotë se janë arrestuar 4 persona ndërsa janë shpallur në kërkim dy të rinj nga Peshkopia por me banim në Tiranë të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar e cila ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.

Te arrestuarit

Dy nga të ndaluarit janë Edi dhe Klevis Lika, babë e bir. Mësohet se Edi Lika ka në pronësi një servis në autostradën Tiranë- Durrës, ndërsa së fundmi e ka zgjeruar aktivitetin e tij në transport ndërkombëtar mjetesh. I biri, Klevis Lika kishte nisur punë si shofer shoqërues. Ndërsa Agim Ceka 61-vjeç ishte shoferi kryesor i mjetit  ‘Bizark’. Alban Mollaymeri është pronari i një servisi në periferi të Tiranës.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. " thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
 Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Në kërkim porositësit

Elvis e Alfred Vladi, të dy nga Peshkopia, janë personat që sipas policisë kanë porositur ngarkesën me euro.

Në vitin 2008 Alfred Vladi, 33 vjeç, është arrestuar si pjesë e një grupi që trafikonte makina nga Franca drejt Shqipërisë. Ndërkohë, 38 vjçari Elvis Vladi në vitin 2016 është akuzuar në Londër si pjesë e një grupi që trafikoi 10 kilogramë kokainë.

Kur u mesua per ngarkesen? 

Policia ishte vënë në dijeni prej 20 qershorit lidhur me ngarkesën, Ndërkohë që të enjten e 21 qershorit kur paradite Basha denoncoi në Kuvend Toyoten me miliona eurot, policia thotë se pasditen e asaj dite, ora 17:00, një agjenci ligj zbatuese shqiptare ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur ngarkesën me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’ e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

"Më 20 qershor 2018, (e mërkurë) policia ishte vënë në dijeni nga burimet e saj vendase për një një karoatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.

Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.

Më  21 Qershor 2018, të enjten në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.

Po atë ditë, 21 qershor,  një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara.

Më 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit."

Makinat e mbushura me euro u sekuestruan dje (24 qershor) në orën 15: 00 në portin e Durrësit, sapo zbritën nga trageti i linjës Ankona- Durrës, në porosi të një biznesmeni.  Makinat ishin blerë në Gjermani në koncesionar ”Doci"

Cfare u sekuestrua?

Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;

• 80,000 franga zvicerane.

• 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.

• 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;

• 1 radio policie;

• 7 telefona celularë.

Dyshime per dekonspirim
Mesohet se  ka qenë Interpol Roma ajo që dha sinjalin për trafikimin e valutës nëpërmjet makinave të ngarkuara në Bizark. Policia e Durrësit në bashkëpunim edhe me prokurorinë e rrethit u mobilizuan dhe pritën ngarkesën të mbërrinte në destinacion. Por, biznesmeni nuk u paraqit t’i tërhiqte,  gjë që ngre dyshime per dekonspirim.  Të ndaluarit kanë mohuar të kënë pasur dijeni apo lidhje me valutën që u zbulua brenda dy makinave të ngarkuara në trailer.

Pronari i kamionit transportues mësohet të ketë deklaruar se nuk ka dijeni për sasinë e parave, por ka zbatuar vetëm porosinë sipas kontratës për transportin e makinave.

Hetimet

Dyshohet se  shuma e parave mund të jetë siguruar nga aktivitete kriminale. Pikërisht dhe këtu janë përqëndruar dhe hetimet.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" dhe ”Falsifikimi i monedhave”. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbulimin e personave të tjerë të implikuar. 


EMISIONET