Një lundrim drejt “Ishullit nën det” të Isabel Allende

Një lundrim drejt “Ishullit nën det” të Isabel

Ishte viti 1925, kur kritiku gjerman, Franz Roh, pati një mendjeshkrepje, dhe doli në përfundimin se një rrymë e re në artin pamor, që endet mes fabulizmit dhe gjetjes së elementëve fantastikë tek e arsyeshmja, do të quhej “realizëm magjik”.

Pas tij, ëndërrimtari italian, Massimo Bontempelli iu përvesh kësaj rryme, për të nxjerrë prej saj tharmin e një bote të padukshme, në lartësinë e shikimit. “900” u titullua revista e themeluar prej tij, ku thuajse çdo autor i shquar i kohës (përmendim këtu James Joyce dhe paragrafët e “Uliksit”, apo “Zonjën Dalloway” nga Virginia Woolf), mund të botonte në këtë revistë, që rrezatonte shkëlqimin dadaist dhe dëshirën për madhështi të futuristëve.

Por, që nga ajo kohë e deri në vitet ’80, toka e realizmit magjik ka qenë gjithnjë një koloni e burrave. Derisa, në 1982, anija e “Shtëpisë së shpirtrave”, zbarkoi në brigjet e kolonisë një kapitene grua, Isabel Allenden.

Në panairin e 22 të librit në Tiranë, “Ishulli nën det” i Allendes (botimet “Dudaj”) ishte ndër librat më të pëlqyer nga lexuesit. Ngjarjet zënë fill në Haitin e shekullit të 18-të, dhe ndjekin peripecitë e skllaves mulate Zarité, e cila ndonëse e rritur në robëri, qëllon të jetë edhe shërbëtorja e një padroneje plantacionesh, me mendje të brishtë. 

I shoqi, Zotëria Valmorain, dashurohet kokë e këmbë me Zaritén, të cilën ai e thërret shkurtimisht Teté, dhe fatet e tyre ndërlidhen deri në fund, edhe pasi ai arratiset për në Nju Orlins me 1791, si pasojë e rebelimit të skllevërve.

Romani ofron një tablo autentike të periudhës, ku përmes shkëlqimit dhe rënies së plantacioneve, luftës civile, si dhe fateve të personazheve, shihet themelimi i republikës së parë të zezë në botë.

Allende të mahnit me aftësinë e pazakontë të rrëfimit të detajeve historike me një vërtetësi të admirueshme, thua se autorja ka shëtitur me një karrocë prej kashte, në zhegun e Santo Domingos së vjetër. 

Përshkrimet janë të mbushura me ngjyra dhe gjallërinë tipike të tropikut, që tingëllojnë si prodhime të një fantazie romaneske, por në dallim nga veprat e saj të mëparshme, ky roman s’i ngjet aspak punëve të saj të mëparshme. Disa madje do të thonin se ky roman s’ka asnjë lidhje të fortë me realizmin magjik, ç’ka është një konkluzion i gabuar.

Magjia fshihet në folklorin e pasur të Haitit, trashëguar nga kultura e lashtë afrikane. Shpirtrat, magjitë “vudu” dhe mallkimet fetare kanë shërbyer për një kohë të gjatë si një mjet për të ndjellur frikë në radhët e të bardhëve, element që haset shpesh në faqet e librit.

Në 1758, udhëheqësit e plantacioneve dogjën të gjallë një udhëheqës rebel, François Macandal, që ishte njëherësh një skllav dhe prift vudu. Legjenda thotë se ai ia doli t’u shpëtojë gjuhëve të flakës pa u djegur, duke u transformuar në një mushkonjë. Por në interpretimin e Allende, rrëfimi I këtij episodi mitologjik vjen disi më zhgënjyes. 

Ajo e sheh magjinë si një çështje perceptimi. Në optikën e Allende, të bardhët panë veç mbetjet e karbonizuara të rebelit Macandal, ndërsa negrot panë një karrige të boshatisur, që është edhe një tregues i hapur i dallimeve kulturore mes popujve.

Ky është gjithashtu një roman feminist. Allende i sjell gratë në qendër të historisë së revolucionit në ishull. Ajo zëvendëson perëndinë afrikane të luftës, Ogun me perëndeshën e dashurisë, Erzulie, ku madje në një skenë, hyjnia posedon shpirtin e Zarité, por edhe atëherë është e paqartë nëse kjo ndodh vërtetë, apo është imagjinata e skllaves së bukur që luan me të.

Edhe pse shumë lexues tradicionalë të Allende mund të mbesin të zhgënjyer nga prania e pamjaftueshme e realizmit magjik, ky roman historik kryen funksionin e tij themelor: transportimin e lexuesit drejt një bote të re.

EMISIONET