Hapen aplikimet për fondet e BE-së në bujqësi.Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, u bëri thirrje fermerëve që të përfitojnë nga kjo skemë e cila do të jetë e hapur deri në 16 dhjetor.Në total fondi për subvencionet shkon në  94 mln euro.

Prej ditës së sotme të gjithë fermerët shqiptarë mund të dorëzojnë aplikimet për të përfituar nga fondet IPARD për bujqësinë.

Ministri i Bujqësisë nga Lezha i bëri thirrje fermerëve dhe sipërmarrësve në fushën e agrobiznesit  që të aplikojnë.

Sipas kreut të bujqësisë,  Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet dhe aftësistë që të jetë përfitues në një nivel të kënaqshëm e fondeve të Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë.

Çuçi: Pavarësisht se në pamje të parë na duken të vështira, se na kërkohen dokumenta voluminoze, prapë po të bëhen me kujdes, unë jam i bindur se brenda thirrjes së dytë ne mund ta dyfishojmë numrin e kontratave të lidhura.

Ministri i Bujqësisë u ndal edhe tek skema kombëtare, e cila ka në fokus sidomos gjetjen e tregut për shitjen e produkteve.

Çuçi: Fokusi që ne kemi vënë sidomos në forcimin e hallkave kyçe të sektorit që lidhet kryesisht me gjetjen e tregut për shitjen e produkteve bujqësore dhe forcimin e agropërpunimit, mendoj se po japin frytet e veta. Jemi ende në fillime, por po të vazhdojmë të përqëndrohemi në këtë drejtim, besoj se shumë shpejt do të kemi një sektor me zhvillim të qëndrueshëm.

E pranishme në takim ishte edhe drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca. Aplikimet do të jenë të hapura deri më datë 16 dhjetor 2019, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është 94 mln euro.

/Ora News.tv/