Presidenti Bujar Nishani ka mbajtur sot një fjalim në Kuvendin e Kosovës ku ka shprehur kënaqësinë që vizitën e tij të parë në krye të shtetit shqiptar e zhvillon në Kosovë. Në fjalën e tij para deputetëve Kosovar, Nishani është zotuar që do të angazhohet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Angazhohem para jush dhe popullit të Kosovës se gjatë mandatin tim, Kosova do jetë kryefjala e aktivitet tim, për njohjen e saj, si dhe mbështetja e saj për nismat rajonale dhe rrugën e integrimit euroatlantik. Mbetem i bindur se ju do gjeni kurajën për tu ngritur mbi motvitet politike për të gjetur zgjidhje për cështje të Kosvoës”, deklaroi Nishani. Kreu i shtetit gjithashtu shprehu qëndrimin e Shqipërisë se çështja e kufijve të Kosovës është e mbyllur dhe se vendi ynë mbështet dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë. “Mbështesim bisedimet teknike Kosovë-Serbi, dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës, marrëveshjet duhet të arrihen sa më shpejt që të sigurojmë pjesëmarrjen e Kosovës në çështjet rajonale. Shpreh qëndirmin e Shqipëriasë se çështja e kufijve është e mbyllur. Ne mbështesim tërësinë kombëtare të Kosovës” tha Nishani. Nishani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se shqiptarët nuk duhet të harrojnë vuajtjet, sakrificat e momentet e mbijetesës dhe përmes kësaj kujtese të shikojnë drejt së ardhmes. Ai ka theksuar gjithashtu se shqiptarët edhe pse të ndarë në shumë shtete kanë si rrugë të përbashkët integrimin europian. "Shqiptarët do të jenë sëbashku në Bashkimin Europian. Ne duhet të jemi së bashku në një betejë për të fituar kohën. Kosova ka mundësi të shfytëzojë rrugën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian” shtoi Nishani.

/Ora News.tv/