Nis sezoni i mbjelljeve, 3 mijë pemët e para vendosen përgjatë lumit të Lanës

Nis sezoni i mbjelljeve, 3 mijë pemët e para vendosen

Të dyja anët e lumit të Lanës përgjatë segmentit nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, do të kthehen në një minipark linear me mbi 3 mijë pemë. Bashkia e Tiranës ka rinisur nga ky segment, për vitin e katërt radhazi, aksionin e mbjelljeve për krijimin e Pyllit Orbital, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua sot aksionit për mbjelljen e 100 pemëve në këtë pjesë të qytetit. 

Veliaj: Synimi për këtë vit është pak më i lartë, por kemi edhe shumë sebepe: Kemi 17 nëntorin, pastaj 28-29 nëntorin, festimet për 75-vjetorin e Çlirimit. Është një moment për të kujtuar që, siç u çliruam nga një pushtues, tani duhet të çlirohemi nga të tjerë pushtues, si ndotja e ajrit nga makinat. Për të gjitha këto arsye, qoftë 75-vjetori i Çlirimit, qoftë 100 vjetori i Tiranës kryeqytet, është një arsye për çdo kompani të mbjellë nga 100 pemë; çdo shoqatë, shkollë, fakultet, universitet, të mbjellin nga 100 pemë.

Veliaj nuk la pa përmendur edhe projektet e rëndësishme në infrastrukturë si ai i Astrit dhe Unazës së Madhe.

Veliaj: Ka projekte që kanë shumë debat dhe sigurisht, askujt nuk i vjen mirë kur zgjerohet Lana, ose kur ndërtohet një autostradë. Por, di të them këtë: asnjë banor nuk do të ngelet jashtë. Për të gjithë ata që kanë pronë, marrin një shpronësim, për të gjithë ata që kanë nevojë marrin një banesë sociale, për të gjithë ata që duan ndihmë, marrin një bonus qiraje, nëse janë qiramarrës. Ama, Tirana nuk do të mbetet pa i përfunduar projektet.

Ai ftoi të gjithë banorët e Tiranës që t’i bashkohen aksionit të mbjelljeve dhe të kontribuojnë për shtimin e gjelbërimit, që edhe këtë vit të thyhet rekordi i vitit të shkuar.

EMISIONET