Në garën për kryeprokuror të Shqipërisë me një mandat 7 vjeçar do të jenë tre emra ndër të cilat dhe kreu aktual i akuzës Arta Marku. Pas një orë mbledhje Këshilli i Lartë i Prokurorisë konfirmoi vijimin për procesin për Olsian Çelën i cili është prokuror në Krimet e Rënda në Tiranë. 

Po ashtu sfida do të vazhdojë edhe për Fatjona Memçaj e cila aktualisht është prokurore pranë Apelit. Megjithatë 11 anëtarët e KLP-së morën vendim negativ për kandidatin e katërt.

Lulzim Alushaj u skualifikua për mosplotësim të kushtit të përvojës 15-vjeçare si jurist i spikatur.

Kandidati Alushaj, nga rradhët e avokatisë, ka të drejtën të ankimojë vendimin e KLP brenda 3 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit. 

Ndërsa kjo e fundit duhet të japë vendimin brenda 7 ditëve pas ankimimit të kandidatit për kryeprokuror.

Faza e dyte

Faza e dytë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jetë renditja e kandidatëve sipas pikëzimit. Më pas lista me 3 emrat do të kalojë për votim në Parlament. Zgjedhja e kryeprokurorit të ri do të jetë me shumicën e cilësuar të votave të deputetëve, por në rastin që kjo nuk realizohet, kandidati i parë i renditur në listën e KLP-së emërohet automatikisht në krye të akuzës.

Pas largimit të Adriatik Llallës në 18 dhjetor të vitit 2017 në detyrë u zgjodh Arta Marku me mandat të përkohshëm.

Në garë 

Arta Marku – Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme

Olsian Çela - Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Fatjona Memçaj - Prokurore në prokurorinë e Apelit

/Ora News.tv/