Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin është i ftuari nderi në ceremoninë inaguruese të stadiumit të ri në kryeqytet, "Air Albania Stadium". 

Ndërkohë, presidenti i Republikës, në një ceremoni të veçantë ka dekoruar presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin me titullin e lartë "Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut". 

"Për kontributin e çmuar dhe angazhimin e tij personal, në mbështetje të zhvillimit cilësor të futbollit në Shqipëri, pata kënaqësinë të vlerësoja sot Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, simbolin e krenarisë tonë kombëtare që përcaktoi rrugëtimin dhe identitetin europian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve", shprehet kreu i shtetit.

Numri 1 i institucionit më të lartë të futbollit Europian do të jetë prezent në ndeshjen kualifikuese të Euro 2020 mes Shqipërisë dhe Francës.

Një 90 minutësh historik për kuqezinjtë, pasi luajnë për herë të parë në impiantin modern të ndërtuar në gërmadhat e "Qemal Stafës".



/Ora News.tv/